Kosova

Selimi: Rruga e Serbisë drejt BE-së, e kushtëzuar 100% nga rruga e Kosovës në OKB


Petrit Selimi

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian është e kushtëzuar nga rruga e Kosovës drejt Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Këto komente, Selimi i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pas raportimeve se Marrëveshja Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars) do të bëhet pjesë e kapitullit të 35-të të negociatave mes Serbisë dhe BE-së.

“Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë ishte çuditërisht e dobët, e kushtëzuar nga mungesa e ambicies dhe mungesa e plotë e besimit mes të gjitha palëve. Por ajo siguron të drejtën sovrane të Kosovës për t’iu bashkuar të gjitha organizatave ndërkombëtare. Tani, rruga e Serbisë drejt BE-së është 100% e kushtëzuar nga rruga e Kosovës drejt OKB-së”, ka shkruar ish-kryediplomati kosovar.

Akorduar me 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ishte në fakt aneks sqarues për atë që ishte arritur në Bruksel me 27 shkurt, ku përmes 11 neneve BE e Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Ndryshe, ditë më parë “Radio Evropa e Lirë” raportoi se shtetet anëtare të BE-së do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në Union të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), dhe të gjitha obligimeve të tjera të dalura nga marrëveshjet në kuadër të dialogut.

Sipas REL-it, ky propozim pritet që të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, i cili pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Union.

REL thotë se ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitur për këtë takim, ku thekson se nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjet e dakorduara me Kosovën.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

Përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore