Lajme

Selimi citon burime brenda BE-së: Pahor s’është emisari i ri për dialog


Petrit Selimi

Gazeta sllovene, Delo, të martën raportoi se ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, mund të emërohet si i deleguari i ardhshëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, duke zëvendësuar kështu në këtë pozitë, diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, përmes një postimi në platformën sociale, X, ndërsa ka cituar dy burime brenda Unionit, ka potencuar se Pahor me shumë gjasa nuk do të jetë emisari i ri i cili do të zëvendësojë Lajçak-un.

Në vend të Pahor, siç potencon Selimi, në garë për këtë pozitë janë dy emra të tjerë.

“Dy burime të brendshme nga BE-ja më treguan dy emra të tjerë që janë gjithashtu pretendentë për këtë pozitë. Sipas një burimi ‘vendimi është duke u finalizuar dhe Pahor nuk është dërguari i ri”, shkroi Selimi.

Gjatë ditës gazeta sllovene, Delo, duke u thirrur në burime raportoi se ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka filluar një fushatë lobimi që Pahor të emërohet si emisar i ardhshëm i BE-së për dialog

Vlerësimet, sipas gazetës sllovene, janë se Pahor është kandidat i denjë dhe i plotëson kushtet për zëvendësimin e Lajçak si i deleguar i BE-së.

“Për momentin, procesi i lobimit që Pahor të zë postin e të dërguarit special është në një fazë të ndjeshme”, shkruan Delo.

Sipas gazetës sllovene për emërimin e Pahor në këtë pozitë, përveç Fajon është duke lobuar instituti Miqtë e Ballkanit Perëndimor i cili u krijua nga vetë ish-presidenti i Sllovenisë.

“Një pjesë e lobimit për Pahorin e kryen edhe komiteti këshillues i Institutit Miqtë e Ballkanit Perëndimor. Ai përfshin, ndër të tjera, ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton , ish-kryeministrin suedez dhe Përfaqësuesin e Lartë të OKB-së për Bosnje-Hercegovinën, Carl Bildt , ish-kryeministren kroate Jadranka Kosor , ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga , ish-presidentin serb, Boris Tadiç”.

Gazeta sllovene: Pahor mund të zëvendësojë Lajçak-un

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore