Kosova

Selatin Kaçaniku: Qeveritarët të mos harrojnë se paguhen nga taksat tona


Selatin Kaçaniku, Kryetar i Shoqatës “Konsumatori”

Dita ndërkombëtare e konsumatorëve këtë vit e ka gjetur qytetarin konsumator të Republikës së Kosovës në një gjendje shumë më të keqe sesa që ka qenë viteve të mëparshme.

Ndikimi i pandemisë COVID 19, lufta në Ukrainë e ngritja e çmimit të energjisë elektrike, kanë bërë që çmimet e produkteve ushqimore të kenë ngritje shumë të madhe, gjë e cila ka ndikuar negativisht në koston e jetesës së qytetarëve, vlerëson Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

“Të gjitha këto çmime, duke filluar nga çmimet e produkteve themelore të shportës së konsumatorëve, siç janë buka, qumështi, vaji, sheqeri e të tjera dhe këto produkte natyrisht se janë produkte që konsumohen çdo ditë dhe barra e presioni i tyre mbi xhepin e konsumatorëve është më e madhe se presioni që mund ta bëjnë produktet e tjera”, ka thënë Kaçaniku në një prononcim për Albanian Post.

“E kemi porositur qeverinë disa herë, shumë herë, me qindra herë deri më tani është që qeveria t’a njoh qytetarin konsumator jo vetëm si konsumator por edhe si taksapagues e gjenerues të buxhetit”.

“Pra obligimet e qeverisë ndaj nesh si konsumatorë janë shumëfish më të larta e më delikate sesa që pretendon qeveria. Dhe qeveria duhet t’a dijë se të gjitha të hyrat që i ka në buxhet janë ato që i jep qytetari konsumator dhe natyrisht që i jep jo vetëm për mirëqenien e shtetit por edhe për mirëqenie personale”, vazhdon më tej Kaçaniku.

Në këmbim të kësaj, thotë Kaçaniku, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me punësim e rroga të vogla.

“Rrogat, qeveria dhe institucionet i marrin nga buxheti të cilin e sigurojmë ne, por ne, ato që i fitojmë janë shumë të mangëta”.

“Kemi probleme me krijimin e rasteve sociale, pensionistët të cilët detyrohen të jetojnë me 100 euro, por kemi edhe raste sociale që s’di a mund t’i quajmë raste sociale, por janë kompanitë që nga COVID 19 kanë falimentuar. E që qeverisë nuk i pëlqen ky kategorizim, si falimentim, e vazhdon të merret me pasojat. Qeveria duhet të merret me problemin, e jo me pasojat që i krijon problemi”, thotë Kaçaniku.

Shtrenjtimi i produkteve ushqimore ka bërë që shporta e konsumatorëve të jetë më e varfër se më parë. Gjë e cila, Kaçaniku e sheh si problem të madh, i cili do të ndikojë në dobësim të shëndetit të qytetarëve.

“Ushqyeshmëria për shëndet të mirë, konsiston edhe me kombinimin e ushqimeve. Nëse ne, për shkak të mundësisë dhe standardit të ulët të pagesës, nuk mund ta furnizojmë barkun tonë, trupin tonë, familjen tonë me të gjitha komponentët e duhura, për t’i bashkëdyzuar ato për një shëndet të mirë, natyrisht që ato vërehen me uljen e shëndetit”.

“Dhe qeveria këtu duhet të shoh një të vërtetë. Nëse ushqyesmëria nuk është në rregull, atëherë kjo mund ti kushtoj qeverisë më shumë, për mirëmbajtjen e shëndetit, në veçanti ndaj fëmijëve, në veçanti ndaj të moshuarve, në veçanti ndaj shtatzënave e lehonave”, përfundon Kaçaniku.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma mesatare vjetore e inflacionit në vend, për vitin 2022, ka qenë 11.6 për qind.

Në muajin dhjetor, ajo ka arritur në 12.1 për qind.

Rritja e çmimeve në Kosovë, por edhe gjetiu në botë ka nisur nga fundi i vitit 2021, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Rritja ka vazhduar me ritëm më të shpejtë nga shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Rritje kanë pësuar pothuajse të gjitha produktet e shërbimet në Kosovë – nga buka e mielli deri te rryma e patundshmëritë. Paga mesatare në vend është rreth 480 euro, ndërsa ajo minimale sillet nga 130 në 170 euro.

Si mbeti që 15 marsi të shënohet si dita ndëkombëtare e konsumatorëve?

Më 15 mars 1962, presidenti i SHBA-së John F. Kennedy miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”. Ndërsa, me Rezolutën 39/248, me 9 prill 1985, Kombet e Bashkuara kanë miratuar Udhëzimin për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit dhe që nga ajo kohë, 15 marsi është Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorëve.

Në vitin 1985, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njohu universalitetin e të drejtave të konsumatorëve, kohë kur ajo miratoi direktivat për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe katër të drejta të tjera: të drejtën e përmbushjes së nevojave bazë, të drejtën e zhdëmtimit, të drejtat për edukimin e konsumatorëve dhe të drejtën për një mjedis të shëndetshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore