Kosova

Sela: Pakurrizorët e “VLEN”-it sollën një situatë ku ish-ushtarët e UÇK-së arrestohen me urdhër të Vuçiç-it


Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se vetëm pakurrizorët, duke iu referuar koalicionit “VLEN”, sjellin një gjendje ku ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) arrestohen me urdhër të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, arrestohen në Maqedoni të Veriut.

Këto komente, Sela i ka bërë në një konferencë për media të mërkurën, pasi që është pyetur për situatën politike në RMV, ku ka përmendur arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, nga autoritetet maqedonase, për shkak të fletarrestit nga Serbia.

“E si mund të jetë kur ushtarët e UÇK-së së Kosovës burgosen me urdhra të Vuçiç-it dhe Serbisë në pikat kufitare”, tha Sela, dhe shtoi se “kjo flet shumë në vetvete se cila është qasja [e qeverisë aktuale në RMV]”.

“Ç’prisni dhe si mendoni që do të jetë situata politike kur aktorët politikë, të cilët pretendojnë që kanë marrë votën nga populli [shqiptar], sillen sipas padronit të tyre [Kryeministrit të RMV-së, Hristjan] Mickoski”, shtoi.

Njëri nga liderët e “Frontit Evropian”, potencoi se kreu i VMRO-DPMNE-së, u tregon liderëve të “VLEN”-it se kënd kanë atdhe dhe kënd kanë mëmëdhe, duke iu referuar deklaratave të Kryetarit të Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, i cili kishte thënë se Kosovën e ka atdhe, por pas reagimeve nga partia nacionaliste maqedonase ishte tërhequr.

“Mickoski u tregon se si duhet të sillen dhe çfarë duhet të deklarojnë, u thotë çdo ditë se gjithsecili që nuk është vetëm pro Maqedonisë së Veriut… tifozllok kur ka ndeshje të Kombëtares shqiptare nuk guxojnë të bëjnë, nuk ka se si të jetë, është një situatë me të vërtetë e tmerrshme”, pohoi.

Situatë të cilën, sipas Selës, mund ta sjellin vetëm njerëz të cilët “nuk kanë fare kurriz, janë pakurrizor”, duke iu referuar “VLEN”-it.

Ndryshe, Arben Taravari, Ministër shqiptar i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, para disa ditësh, ka thënë për Albanian Post se nuk e beson se mund të bëhet ekstradimi i Blerim Ramadanit në Serbi.

Më 17 korrik, autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestuan Blerim Ramadani, për shkak të një fletarresti nga Serbia.

Pas arrestimit, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi se pret që Maqedonia e Veriut t’ia ekstradojë Ramadanin shtetit serb.

“Nuk e besoj se mund të bëhet ekstradimi. Ne jemi duke fascilituar lirimin e tij”, theksoi Taravari, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, në një prononcim për AP.

Në ditën që u arrestua, AP komunikoi edhe me Izet Mexhitin, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut.

Ai potencoi se “jemi duke punuar” për lirimin e Ramadanit.

“Ka pasur edhe në të kaluarën raste të ngjashme. Po punojmë për ta evituar si problem”, theksoi Mexhiti për AP, derisa tregoi edhe për veprimet që janë duke i bërë për rastin në fjalë dhe jo vetëm.

“Jemi duke punuar edhe për këtë rast, por edhe për rastet tjera”, potencoi zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e RMV-së. Kjo ka ndodhur, siç tregoi Mexhiti, pasi që Serbia, ish-ushtarët e UÇK-së, i paraqet në INTERPOL.

“Pastaj paraqiten në sistem”, pohoi ai, duke shtuar se “duhet që ta gjemë zgjidhjen që të eliminohet si fenomen, jo vetëm për këtë rast”.

Por, vetëm një ditë pas kësaj deklarate, Ramadanit institucionet gjyqësore ia caktuan 30 ditë paraburgim ekstradues.

Ndërsa, të shtunën, pjesëtarë të Shoqatës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Maqedoni të Veriut, kanë protestuar para Gjykatës Themelore të Shkupit, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së.

Protestuesit që ishin mbledhur para gjykatës, kanë kërkuar që Maqedonia e Veriut të mos bie nën diktatit e Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç, kundër ushtarëve të UÇK-së.

“Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, dhe dërgimi në paraburgim ekstradues nga policia maqedonase dhe gjykata vendore është i papranueshëm. Ne veteranët dhe bashkëluftëtarët e tij kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe tërheqjen e urdhërarrestit të Vuçiç-it…”, tha një protestues.

Ky akt 25 vjet pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri, barazi, demokraci dhe pavarësi, shtoi ai, është i papranueshëm dhe “ne kërkojmë lirimin menjëherë, pa asnjë vonesë dhe kthimin në familjen e tij”.

Në një konferencë për media, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është në komunikim me autoritetet në RMV për lirimin e Ramadanit.

“Jemi në komunikim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe me sektorët përkatës atje në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim atje dhe që mos të ketë nënshtrim ndaj agresivitetin të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fletarrestime të tilla për qytetarët tanë”, potencoi Kurti.

Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore