Lajme

Sekuestrohen kamera ilegale në tri komuna me shumicë serbe në Gjilan


Foto nga sekuestrimi i kamerave.

Drejtoria rajonale e Policisë së Gjilanit, ka sekuestruar kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në vende publike në Kllokot, Partesh dhe Ranillug komuna këto me shumicë serbe, e që dyshohen se ishin ilegale.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

“Sekuestrimi i kamareve është bërë për shkak të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara’ nga neni 202 i KPRK-së, në mbështetje të ligjit për Policinë e Kosovës me numër 04/L-076, neni 25 dhe ligjit numër 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka thënë Osmani.

Për rastin është iniciuar vepra penale “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

“Në lidhje me këtë urdhër të Prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale ‘’Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara’’ rast i  cili vazhdon të hetohet nga sektori i hetimeve rajonale në Gjilan”.

Konfiskimi i një sirene të alarmit është bërë edhe në Mitrovicë të Veriut, të enjten.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se një sirenë e alarmit dhe gjashtë zmadhues të zërit i ka konfiskuar Policia e Kosovës në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut gjatë një aksioni në maje të një ndërtese në këtë qytet të mërkurën.

“Ne të mërkurën e kemi gjet këtë sirenë dhe gjashtë zmadhues të zërit. I kemi konfiskuar në majë të një ndërtese. Këto kanë qenë pajisje të cilat janë përdorur për prishje të rendit dhe qetësisë”, tha Elshani.

Ndryshe, sa herë që bien sirenat në Veri, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada për t’i kundërshtuar intervenimet e Njësisë Speciale të Policisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë vitit 2023, sfida më e madhe ka qenë ruajtja e integritetit territorial dhe e sigurisë publike.

Ai gjatë fjalimit të tij në Këshillin për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se Policia e Kosovës në pjesën veriore është sulmuar rreth 100 herë nga grupe ekstremiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore