Kosova

Sejdiu: Ideja e Ahtisarit është e mjaftueshme, Kosova s’duhet të japë asgjë më shumë


Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës për kërkesat e Serbisë ndaj Kosovës konsideron se s’duhet të japë asgjë Kosova më shumë se ç’është në paketën e Ahtisarit.

Ai në një intervistë për DW është shprehur se ideja për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është ide për ta bërë jofunksionale vendin e Kosovës.

“Ideja e Ahtisarit është e mjaftueshme dhe nuk le dilema. Mund të ketë një tip Asociacioni që është ndërtuar më herët në Kosovë që të jenë mekanizma ndihmës por assesi në cilësi të tjera sikurse insistohet. Pra një tip i tillë i mekanizmave që ta kenë karakterin përfaqësues dhe ekzekutiv, nuk nënkuptojnë tjetër pos përsëritje të idesë të asaj që e gjejmë në Bosnje e Hercegovinë dhe të asaj që e bën Kosovën një vend jofunksional”, ka thënë Sejdiu.

Për Asocacionin, Sejdiu potencon se Kosova “ka borxh të ndërtojë një mekanizëm”, por jo si ai që është duke kërkuar Beogradi.

“Unë besoj që Kosova ka borxh ta ndërtojë një mekanizëm, por jo si e kërkon Beogradi për komunitetin serb të Kosovës. Mund të krijohet një Asociacion një mekanizëm i bashkëpunimit të ndërsjellë të komunave serbe për çështje të implementimit të politikave që janë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, që janë të përputhshme me gjithë sistemin legjislativ të saj dhe me strukturën shtetërore në hierarkinë shtetërore”.

“Çdo insistim i daljes jashtë saj dhe i një mekanizmi që përjashton esencën e të qenurit të Kosovës një subjekt që është tërësia territoriale dhe i mekanizmave të veprimit të shtetit të Kosovës, do të rrezikonte shtetin e Kosovës”.

Megjithatë, ish presidenti i Kosovës, thotë se me propozimin e fundit nga vendet ndërkombëtare mund të arrihet një zgjidhje.

“Tani projekti i fundit i bashkësisë ndërkombëtare për një zgjidhje përfundimtare të raporteve Kosovë-Serbi, mund të jetë më serioz në faza të mëvonshme dhe shpresojmë të punohet më shumë dhe në mënyrë më të ngushtë në kuptimin e analizës dhe gjetjes së një formule dalëse të mirë dhe të përshtatshme për pjesën e ecjes së mëtejme në relacionet ndërmjet dy vendeve”.

“Ideja e stërkequr e Serbisë për një Asociacion me kompetenca ekzekutive është një ide për ta bërë jofunksional shtetin e Kosovës”.

Për propozimin franko-gjerman, ai thotë se e rëndësishme është që ky proces të jetë i dobishëm për Kosovën.

“Pesha kryesore e gjithë procesit është që të jetë proces i dobishëm për Kosovën dhe ajo nënkupton inkorporimin e gjithë faktorëve të nevojshëm institucionalë në radhë të parë ata që kanë votën e qytetarëve dhe një analizë edhe në kuvendin e Kosovës pavarësisht strukturës së tij edhe në relacionet pozitë opozitë apo edhe në pjesët e tjera që nganjëherë njerëzit mund të kenë hezitime”.

“Diçka çka është e rëndësishme është, jo për të heshtur zërat, por për të gjetur fuqinë e qëndrimit të Kosovës në formulën që ajo do ta pranojë si të dobishme për ecjen e Kosovës më tutje”.

Ndër të tjera, kërkon që të gjendet një formulë e cila nuk është në kundërshtim me interesat e Kosovës.

“Ajo që unë mendoj dhe dua të besoj është që SHBA-të si pjesë e këtij partneriteti me pjesën tjetër të faktorit ndërkombëtar evropian pajtohen me idetë e shtruara në dokument, pavarësisht që Serbia mund ta kundërshtojë atë. Unë mendoj të gjendet formula që nuk lejon kohë të mëtejshme, por të veprohet në një formulë që nuk është në kundërshtim me interesat e Kosovës”.

Tutje, ish presidenti ka pasur më shumë pritshmëri nga institucionet rreth sigurimet të njohjeve dhe çështjeve të tjera.

Pas 15 vjeteve ai pret që të ketë një numër më të madh të njohjeve.

“Do të veçoja aspektin e njohjeve që duhej të siguronte Kosova, çështjen e integrimeve, në mbajtjen e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare posaçërisht me SHBA dhe vendet e tjera. Por paralelisht janë vërejtur edhe ngecje të caktuara, të cilat domosdo kanë ardhur në shprehje edhe për shkak të pengesave subjektive që i janë bërë këtij procesi me mos integrimin e plotë të një pjesë të komunitetit serb në Kosovë, si obstruksione nga Beogradi dhe presione të vazhdueshme mbi atë pjesë të popullatës, sidomos mbi disa nga komunat e veriut të Kosovës”.

“Paralelisht një angazhim jashtëzakonisht bizar dhe dashakeq i Serbisë karshi Kosovës në kuptimin e mos njohjeve ndërkombëtare nga shumica e vendeve që do ta bënin pa pengesë ecjen e saj  deri në aspiratën e fundit, përmbushjen e idesë që Kosova të jetë anëtarë e OKB-së”.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e shpalli Pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Përpjekjet e Kosovës për Pavarësi, filluan tri dekada më parë, kur asaj iu hoq dhunshëm autonomia që gëzonte brenda Jugosllavisë së atëhershme.

Mundi dhe sakrifica për të shpallur Pavarësinë e Kosovës kishte nisur që nga viti 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore