Kosova

Sefaj: Qeveria në vend të dialogut – vendosi talljen me sindikatat


Udhëheqës i Këshillit Grevist të Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, ka thënë se është obligim i qeverisë ta fillojë dialogun social për t’i adresuar kërkesat e sindikatave në mënyrë që me i dhënë fund grevës, duke i rikthyer fëmijët në shkolla dhe shërbimet në administratë.

Por, Sefaj thotë se Qeveria në vend të dialogut vendosi mbylljen, “presionin, e talljen ndaj sindikatave dhe këshillave greviste, duke ua pamundësuar marrëveshjen për daljen nga greva”.

“Kur qeverisë s’i bëjnë përshtypje humbjet qe mund të shkaktohen nga grevat, por vazhdon me avazin e mbylljes, revanshit dhe linçimit ndaj përfaqësuesve sindikal, është koha e reflektimit”, ka shkruar Sefaj në Facebook.

“Çka duhet të bëjmë ne, të vazhdojmë grevën, ta mbrojmë demokracinë, të kërkojmë mirëqenie për punëtorët e sektorit publik, ti ashpërsojmë veprimet sindikale, apo ta mendojmë interesin e fëmijëve, qytetarëve, institucioneve dhe atdheut, pasi qeveria ka dalë në stërnishtë dhe si bën përshtypje interesi publik”.

Ai ka theksuar se është koha për reflektim, mësimi duhet të fillojë.

“Por qeveria s’po na len rrugë, që të dalim nga greva”.

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Qeveria do që grevistët ta ndalin grevën, por pa ua plotësuar kërkesën për rritje page, pa e procedura ligjin për pagat me procedurë të shpejtë dhe pa pranuar që të takohet me ta.

Si filloi greva?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Vendimin e njëjtë e përforcoi ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, ku kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore