Shqipëria

Seanca speciale e thirrur nga Shqipëria bën bashkë Zelensky-in, Biden-in dhe Lavrov-in


Seanca speciale për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e thirrur nga Presidenca shqiptare dhe e drejtuar nga kryeministri Edi Rama pritet të bëjë bashkë në të njëjtën dhomë presidentin amerikan Joe Biden, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryediplomatin rus Sergey Lavrov.

Kujtojmë që, Rusia është një anëtare e përhershme e organit ndërkombëtar që ka të drejtën e vetos për çdo veprim detyrues.

Takimi do të fokusohet në parimet e Kartës së OKB-së, të cilat kërkojnë që çdo vend të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të të tjerëve.

Ajo mund të krijojë spektaklin unik të vendosjes së Zelensky-it dhe ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov në të njëjtën dhomë.

I pyetur për takimin gjatë një vizite në një spital në New York që ka trajtuar ushtarët ukrainas, Zelensky tha të hënën se Kombet e Bashkuara ende janë strehë “për terroristët rusë”.

Për herë të parë ndër vite, Presidenti i SHBA-ve Joe Biden do të jetë i vetmi lider nga pesë vendet e fuqishme me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do të marrë pjesë personalisht, raporton “France 24”.

Udhëheqësit nga Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe nuk kanë bërë plane për të udhëtuar në New York.

Historia në duart e Shqipërisë

Shqipëria

Me në dorë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të dytën herë brenda mandatit të parë historik – delegacioni shqiptar do të përfitojë nga mbledhja e Asamblesë Parlamentare të OKB-së, për të rrokur vëmendje maksimale me këtë mbledhje të jashtëzakonshme për Ukrainën.

Një takim ky, i etiketuar edhe ndoshta si më i rëndësishmi i Këshillit, që prej kohës kur trajtohej kriza e raketave në Kubë dhe përtej se një përgjegjësi e madhe, kjo është edhe një mundësi për vendin e vogël ballkanik, që të tregojë potencialin e madh diplomatik që zotëron.

Një rast, i cili ndoshta nuk do të jepet më për dekada në vijim për Shqipërinë dhe i cili duhet të shihet si porta e madhe e shpalosjes tërësore të shqiptarisë ndaj botës mbarë, duke kontekstualizuar gjithë punën e bërë në dy vite mandat, e cila tashmë po finalizohet.

Kreu i Qeverisë shqiptare i ka paraprirë madje (edhe me humor) kësaj ngjarjeje historike, duke publikuar një mesazh të shkurtër nga pozita e drejtuesit të seancës dhe presidentit të përkohshëm të Këshillit.

Kryeministri Rama e ka theksuar se është shfrytëzuar fakti se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së po zhvillohet në New York të SHBA-ve dhe me këtë rast, liderë me rëndësi në botë do të marrin pjesë në takim.

“Shpresoj që ky Debat i Hapur i Nivelit të Lartë të mobilizojë botën në përpjekjet e saj të përbashkëta për të dënuar luftën e për të rritur trysninë ndaj Rusisë, për të kthyer rrugë dhe për t’i lënë vend nisjes së procesit të paqes së drejtë”, përmend Rama në mesazhin e tij para mbledhjes.

Kjo po ashtu, siç përmend edhe kreu i Qeverisë, do të jetë e para herë që Zelensky do të marrë pjesë në një mbledhje të tillë, pas agresionit rus në Ukrainë.

Formati, në fjalët e Ramës, merr edhe më shumë vlerë duke qenë se është thirrur nga një vend që vjen prej një rajoni ku lufta ka shkaktuar vuajtje të pamasë.

“Jemi mjaft të ndërgjegjshëm për vlerën e paqes dhe përpjekjet monumentale që duhen për arritjen e, mbi të gjitha, për ruajtjen e saj”, shton më tej ai.

Teksa, në mbyllje, ravijëzon se Shqipëria ka vendosur të vendosë theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, sidomos, të paqes e sigurisë, në diskutimin e Këshillit dhe, më gjerë, mes anëtarëve të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore