Shqipëria

Seanca për Malltezin në GJKKO, avokatët mbrojtës njihen me provat


Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) po zhvillon të hënën e 23 tetorit seancën për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe biznesmenin Fatmir Bektashi.

Përfaqësuesit ligjorë kanë kërkuar kohë që të njihen provat dhe me fashikujt e dosjes hetimore, duke bërë që seanca të rinisë në orën 18:00.

Gjyqtarja Irena Gjoka u dha kohë të dyja avokateve që të njihen me këto akte dhe prova brenda këtij afati.

Trupa gjyqësore do të zbresë në sallën e GJKKO-s, pasi mbrojtja të ketë qëndrimet e saj, edhe mbi vendimmarrjet e ditës së shtunë kur u arrestua Malltezi në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Më herët ishte vetë Malltezi që mohoi akuzat e ngritura nga SPAK, lidhur me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku rezulton se ai ka përftuar shuma deri në 5.4 milionë euro dhe ka ushtruar akte korruptive.

Avokatët e Malltezit, i cili u prangos mbrëmjen e të shtunës së 21 tetorit në Rinas, e kanë cilësuar si një sulm politik ndaj tij aktakuzën e ngritur nga SPAK.

E njëjta gjë edhe për masën e detyrimit të paraqitjes, që është vendosur ndaj vetë Berishës.

Në pritje të gjyqit, si lexohet “juridikisht” akuza e SPAK-ut ndaj Berishës dhe dhëndrit të tij

Përfitimet e Malltezit

Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së kryeministrit, ka përfituar materialisht nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, shkruan Prokuroria.

“Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi”, saktëson SPAK.

Fitimet e Malltezit në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, llogariten në total në shumën 5 milionë e 420 mijë e 345 euro.

Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Sali Berisha, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit, për të marrë përfitimet e parregullta, theksoi SPAK.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (GJKKO) ka vendosur të premten e 20 tetorit masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Malltezit.

Ndër të tjera, GJKKO-ja ka vendosur nën sekuestro preventive edhe gjashtë llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të tij, si dhe kuotat e kapitalit themeltar në shoqëritë “Homeplan” shpk (45 për qind e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100 për qind e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fi” (60 për qind e kuotave).

GJKKO

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) publikoi më herët vendimin për caktimin e masave ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Për Malltezin, GJKKO-ja ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest ne burg”.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave petale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-kryeministrit masën e sigurimit personal shtrëngues “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Për Berishën, GJKKO-ja ka caktuar dhe “Ndalimin e daljes jashtë shtetit parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale”, si person nën hetim.

Ish-kryeministri dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”.

Për ndërtuesin Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit, është caktuar masa e sigurimit personal shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit parashikuar nga neni 233 IK.Pr.Penale”.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Ndërtimi i ngjarjes

Strukturat e Posaçme Anti-Korrupsion duke përfshirë Prokurorinë (SPAK), Gjykatën (GJKKO) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) u vunë në aksion të shtunën e 21 tetorit për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Ky aksion hetimor dhe policor ishte ndër më të bujshmit e strukturave të themeluara dhe të financuara nga autoritetet amerikane që prej krijimit të tyre.

Ndalimi i Malltezit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” u ekzekutua nga agjentët e BKH-së pasi GJKKO-ja kishte caktuar masën “arrest me burg” të kërkuar më herët nga prokurorët e SPAK-ut, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Pas disa orësh në komisariatin e Rinasit, Malltezi u shoqërua nga forcat e policisë në ambientet e bllokut të sigurimit në rrugën ‘Mine Peza” në Tiranë ku pritet të qëndrojë derisa të dalë para GJKKO-s për rivlerësim të masës së sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore