Shqipëria

‘Së bashku, më të fortë’, shkruan Ambasada Amerikane krah postimit të Ramës


Ambasada amerikane në Tiranë, ka shpërndarë postimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ku në 15 vjetorin e anëtarësimit në NATO, falënderoi sekretarin e shtetit, Antony Blinken.

“Së bashku, më të fortë”, shkruhet në postim.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në platformën X – dikur Twitter, ka falënderuar sekretarin amerikan Antony Blinken, në 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Për këtë, kreu i qeverisë thekson se “nuk është vetëm një festë e arritjeve tona të së shkuarës, por edhe një riafirmim i përkushtimit tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe vlerave që mbështesin Aleancën tonë”.

“Gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria ka kontribuar me krenari në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s dhe ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të mbështetur paqen dhe vlerat demokratike në të gjithë rajonin tonë dhe më gjerë”.

Rama theksoi se “ne jemi të nderuar të qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, ndërsa vazhdojmë të përshtatemi dhe forcojmë bashkëpunimin tonë përballë sfidave globale në zhvillim”.

“Ne presim shumë vite të tjera bashkëpunimi të frytshëm brenda familjes së NATO-s. Faleminderit për aleancën, miqësinë dhe partneritetin”.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, përgëzoj Shqipërinë dhe Kroacinë për 15-vjetorin e anëtarësimit tuaj në NATO”.

Kështu u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në 15 vjetorin e anëtarësimit të vendeve në Aleancë.

Ai theksoi se “15 vjet më parë, ne kremtuam angazhimin e demokracive tuaja jo vetëm për mbrojtjen e Aleancës sonë, por edhe për mbrojtjen e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin”.

“Sot, ne nderojmë angazhimin tuaj të vazhdueshëm për të penguar dhe mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s, siç mbrojmë edhe vlerat tona të përbashkëta demokratike. Në këtë përvjetor, ne mbetemi krenarë që jemi me ju si aleatë. Ndërsa Aleanca jonë vazhdon të rritet dhe të përshtatet për të adresuar sfidat në zhvillim të së ardhmes, NATO është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore