Lajme

“S’do zbatohet, është i dëmshëm, arbitrazhi skandaloz”, çka tha Konjucfa për draftin e Asociacionit


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

E kishin vlerësuar, kishin thënë se është “pakrahasimisht” më i mirë se ai i 2013-ës dhe ai i 2015-ës, i pranuar në parim, kanë ofruar gatishmërinë që para liderëve kryesorë evropianë ta nënshkruajnë si të tillë, mirëpo tani po deklarojnë se draft-statuti evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i “dëmshëm” dhe i “rrezikshëm”, dhe se i njëjti nuk do të implementohet.

Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryetar i kuvendit, Glauk Konjufca, foli mbrëmjen e së mërkurës gjerë e gjatë për dëmet që i kanosen Kosovës në rast zbatimi të këtij drafti, madje ai ishte i qartë në mesazhin e tij ndaj Bashkimit Evropian, se nuk do ta zbatojnë atë që në parim shefi i tij, Albin Kurti, e ka pranuar.

“Mendoj që nuk bëhet hiç, a din pse – pozicioni i qeverisë dhe shtetit tonë është kështu: ajo mund të bëhet vetëm me njohje, dhe në një marrëveshje e cila është e nënshkruar nga [Aleksandër] Vuçiç-i në emër të Serbisë, e cila e njeh de facto shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Konjufca në një intervistë për “Klan Kosova”.

Këtë, sipas kreut të kuvendit, Vuçiç-i “nuk e bënë kurrë”, prandaj shtonte ai, “si rrjedhim ne vijmë tek konkludimi që nëse nuk e bënë ai, nuk do të bëhet as pjesa jonë”.

Ky draft-statut i BE-së, potenconte Konjufca, “i them faleminderit shumë që na keni këshilluar në mënyrë kaq miqësore”, por zbatimi i tij, sipas Konjufcës nuk vjen në shprehje.

“Çka me ba me atë draft, me implementu a, jo more nuk implemtenohet ai draft”, thoshte me bindje të plotë ai.

Por, draft-statuti i përgatitur nga komuniteti ndërkombëtar, në vlerësimin e shefit të Konjufcës, pra kryeministrit Kurti, është pakrahasimisht më i avancuar se Marrëveshja e vitit 2013 dhe ai i vitit 2015.

Diferenca, vlerësonte Kurti, në mes të këtij draft-statuti dhe Asociacionit i cili parashihej në Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 është tek çështja e përmbajtjes.

“Kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh ky gjë, pra së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës”, deklaronte Kurti në një intervistë për Televizionin A.

“Dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson që do të zbatohet, është i pakrahasueshëm me të tjerët”, shtonte ai.

Mirëpo, krejt ndryshe nga Kurti, numri dy i LVV-së duke folur për propozimin e bashkësisë ndërkombëtare, vlerëson se ka shumë gjëra problematike.

“Nëse këto janë këshillat tuaja [referuar BE-së], faleminderit shumë, por aty ka gjëra shumë problematike”, beson ai, derisa mendon se gjërat problematike gjenden aty për shkak – sërish ndryshe nga ajo që e mendon Kurti – “nuk e ka shkruar Kosova”.

Madje, kreu i kuvendit e konsideroi si “skandaloze” nenin e draftit evropian për Asociacionin i cili parasheh arbitrazh në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet këtij mekanizmi dhe Autoriteteve Qendrore.

Lexo edhe këtë: Komisioni i Arbitrazhit për Asociacionin është jokushtetues – “juridiksioni i tij duhet t’i takojë Gjykatës Kushtetuese”

“Jo, jo, ajo e arbitrazhit është skandaloze. Ka shumë pika të dëmshme aty”, deklaroi Konjufca.

Përveç se kundërshtoi përmbajtjen e draftit, kreu i kuvendit e vlerësoi si tejet të “dëmshme” dhe të “rrezikshëm” edhe vetë faktin se BE-ja ka shkruar draft për Kosovën, derisa draftin e pranuar në parim nga Kosova nuk e konsideroi si akt të kryer.

“Ky draft nuk bënë të konsiderohet fakt i kryer, është gabim prej gjithkujt, ka pasur drafte edhe më herët, dallimi është që po ta sjellë Bashkimi Evropian. Ky është ndryshe nga draftet e tjera, por nuk është fakt i kryer”, deklaroi.

“Kjo i bie kështu: që e para pozicioni i Kosovës, mua si mu ka dukur pozicionimi më i drejtë dhe më i qartë që BE-ja nuk e ka atë kompetencë: kompetencën e draftit të shkruarjes së draftit”.

I pyetur se nëse i është thënë një gjë e tillë Unionit nga kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, por edhe vetë ai se një gjë e tillë nuk është kompetencë e tyre, ai theksoi se i “themi vazhdimisht”.

“Nuk ka një draft që është draft, i cili është fakt i kryer, që Kosova duhet që ta zbatojë, kush të ka thënë kështu?! Ky është pretendim shumë i pambështetur, dhe e cenon mendimin e qytetarëve të Kosovës”, shtoi.

Sipas Konjufcës, është “shumë e dëmshme, shumë e rrezikshme për integritetin, për karakterin e shtetit tonë me të shkru draft komunave të Kosovës BE-ja, është gabim”.

Përveç deklaratave se nuk do të zbatohet drafti evropian për Asociacionin, për Konjufcën – edhe pse bashkësia ndërkombëtare e ka theksuar qartë se Marrëveshja Bazike [Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars] – është valide dhe e obligueshme për palët, Kosova nuk ka marrëveshje me Serbinë.

“Ne nuk kemi marrëveshje me Serbinë, dhe kjo e bënë edhe më të komplikuar situatën”, ka thënë Konjufca në një intervistë për “Klan Kosova”.

“Qe pse unë mendoj se nuk kemi marrëveshje”, filloi arsyetimin e tij, “Serbia në çdo veprim dhe çdo hap po i shkel detyrimet të cilat i ka marrë [Marrëveshja Bazike], prej çështjes së targave, përfshirja në sulmin terrorist, mosndëshkimi dhe shpallja ditë zie për sulmin terrorist – çka tregon se vetë shteti po ndjenjë dhe po qëndron mbrapa këtij grupi drejtpërdrejtë – e deri tek dorëzimi i letrës së Ana Brnabiç-it në Bashkimin Evropian, që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”.

“A e dini ju çka do të thotë një shtet për me dorëzu një letër për një shtet tjetër i cili nuk e respekton integritetin territorial; mendoj se ai shtet po tregon që është i gatshëm me nis luftë”, shtoi.

Nenet kryesore të draft-statutit modern evropian të Asociacionit

Të shtunën e 11 nëntorit, për herë të parë, u publikua një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin u tha se është ai që Kosova e ka pranuar.

Draft-statuti që emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor.

Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.

Te neni 12, te pjesa e bashkëpunimit, thuhet se Asociacioni  do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, “duke përfshirë agjencitë qeveritare në Serbi”.

Një bashkëpunim i tillë, theksohet aty, mund të marrë formën e ofrimit nga institucionet serbe të asistencës financiare dhe teknike, duke përfshirë pajisjet, në zbatimin e kompetencave komunale.

Ndërsa, parashihet që donacionet e mallrave dhe pajisjeve nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë ose detyrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në pajtim me ligjin në fuqi”, thuhet aty.

Një nen tjetër që parasheh ky draft-statut i Asociacionit është ai i 14, ku bëhet fjalë për menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të cilat, sipas këtij drafti, themelohen dhe financohen nga Serbia.

Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë financuar nga Serbia, sipas hapave të mëposhtëm:

“Në frymën e nenit 13 të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ‘Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës’ dhe ‘Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës’ do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi”, thuhet në njërën nga pikat.

Sipas këtij drafti, në Kosovë, këta bartës do të kërkojnë të kenë statusin e arsimit privat të huaj dhe ofruesve të huaj privat të kujdesit shëndetësor. Asociacioni do të kërkojë t’i regjistrojë këta ofrues dhe të marrë licenca operimi në përputhje me ligjin në fuqi.

“Çështjet që kanë të bëjnë me planprogramin arsimor do të rregullohen në pajtim me ligjin në fuqi. Me licencimin, Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofruesve të arsimit dhe shëndetësisë”.

Pos këtyre, aty theksohet se Asociacioni do të angazhohet me Qeverinë e Kosovës me qëllim që këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut.

Në territorin e anëtarëve të Asociacionit, parasheh ky draft, këta ofrues mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkë-financuara nga Serbia për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

Kurse te neni 42 bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore.

Te pika e parë e këtij neni, thuhet se çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore në lidhje me zbatimin ose interpretimin e këtij Statuti, i cili nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, me kërkesë të secilës palë në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje një komisioni arbitrariteti.

Ky komision, pohohet aty, do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje.

Mirëpo, nëse brenda tre muajve, secila palë në mosmarrëveshje nuk arrin të emërojë arbitrin përkatës ose palët në mosmarrëveshje nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit, ky arbitër ose kryetar, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, “do të jetë emëruar nga Bashkimi Evropian”.

Madje, në draft theksohet se komisioni i do të krijojë rregullat e veta të punës dhe do të përpiqet të vendosë mosmarrëveshjet e tij brenda gjashtë muajve.

Sipas draftit të publikuar të shtunën, komisioni vendos për mosmarrëveshjen me dy të tretat e shumicës së arbitrave dhe se ky vendim do të pranohet nga palët në mosmarrëveshje si përfundimtar dhe i detyrueshëm, duke anashkaluar kështu Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndërsa në nenin 43 parashihet që duke vepruar në emër të Asociacionit katër kryetarët e komunave të Kosovës Veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për emërim si Komandant Rajonal i Policisë së Kosovës, siç specifikohet në nenin 9 të Marrëveshjes së Parë, çka nënkupton se komandanti i policisë në këtë rajon duhet të jetë serb, pra përzgjidhet etnikisht.

Emri zyrtar i këtij mekanizmi do të jetë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa selia e tij do të jetë në Mitrovicën e Veriut.

Asociacioni, gjithmonë sipas këtij drafti, do të krijojë simbolet e veta zyrtare: flamurin dhe një stemë, ndërsa thuhet se vetëm simbolet zyrtare të Asociacionit, së bashku me simbolet shtetërore të Kosovës do të përdoren nga Asociacioni, në përputhje me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore