Lajme

Scholz para arritjes në Kosovë: E mbështes shkëmbimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit


Kancelari gjerman, Olaf Scholz në Kosovë, foto: KosovaPress.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili aktualisht ndodhet në Prishtinë dhe është takuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, ka shprehur mbështetje për Procesin e Berlinit para arritjes në Kosovë.

“Sot dhe nesër do të jem në Kosovë, Serbi, Maqedoni të Veriut, gjithashtu në Greqi dhe Bullgari. Unë dua të promovoj procesin e integrimit në Bashkimin Evropian në nivel lokal dhe të mbështes shkëmbimin rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit”.

“Gjithashtu do të koordinohemi për përgjigjen tonë të përbashkët ndaj agresionit dhe luftës së Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar ai.

Ndërsa, për vizitën e tij në Kosovë, ka shkruar edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde. “Mirë se vjen kancelar”, shkruan Rode.

Kryeministri Kurti, të enjten ka komentuar vizitën e kancelarit në Kosovë duke thënë se pritshmëritë e tij janë fillimi i ri dhe energjik i Procesit të Berlinit.

“Një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit, ku jemi të gjithë të barabartë dhe ku përshpejtohet anëtarësimi i të gjitha vendeve, duke u bazuar në respektimin e sundimit të ligjit, demokratizmit, luftimit të korrupsionit dhe ballafaqimit me të kaluarën.

“Meqenëse kemi në Serbi një pushtet që mohon masakrën e Reçakut dhe nuk ka bërë asgjë në raport me kriminelët e luftës, të cilët vazhdojnë atje të jenë të lirë dhe pamenduar, përveç të pandëshkuar”, tha Kurti.

Kosova është destinacioni i parë i vizitës së Scholz në rajon, ndërkaq, në orët e pasdites do të udhëtojë drejt Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore