Lajme

Sarrazin dhe Vuçiç flasin për zhvillimet në Kosovë


Aleksandër Vuçiç dhe Manuel Sarrazin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar me të Dërguarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë.

Lajmi u bë i ditur nga Vuçiç, përmes një postimi në Facebook, ku takimin me diplomatin gjerman e përshkroi si “të mirë”.

“Biseduam për një gamë të gjerë temash, nga marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare e deri te takimet e ardhshme në Bruksel dhe zhvillimet në Kosovë”, shkroi Vuçiç.

Kreu i shtetit serb theksoi se me Sarrazin-in kanë shkëmbyer mendime për bashkëpunimin mes Serbisë dhe Gjermanisë.

“Si dhe për integrimin evropian të Serbisë dhe sfidat me të cilat përballet gjatë kësaj rruge, dhe me kënaqësi prezantova vizionin tonë për Serbinë moderne dhe projektet e shumta për të cilat po punojmë, veçanërisht si pjesë e organizatës e EXPO 2027”, shtoi.

Ky takim i top-diplomatit gjerman me presidentin serb vjen në një kohë kur vendet perëndimore kanë rikthyer vëmendjen në zhvillimet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa.

Në këtë drejtim, ndërmjetësi, në këtë rast Bashkimi Evropian, ka ftuar palët që kjo çështje të trajtohet në Bruksel, për të shmangur kështu çfarëdo tensioni eventual.

Nga pala shqiptare e Kosovës kanë refuzuar që përfaqësimi në këtë takim të jetë në nivel politik, duke dërguar kështu në kryeqendrën evropiane përfaqësues të BQK-së.

Nga ana tjetër, Serbia ka konfirmuar se në këtë takim delegacioni i saj do të udhëhiqet nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Ky vendim i BQK-së ka shkaktuar edhe fërkimin e radhës në mes të ekzekutivit të drejtuar nga Albin Kurti dhe bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se të njëjtët kanë thënë se vendimi në fjalë është marrë pa koordinim me ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore