Shqipëria

Sanksionet ‘non grata’ për të korruptuarit do të vazhdojnë, paralajmëron Wisner


“Ndonëse nuk mund të tregojmë paraprakisht sanksionet tona, Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të veprojnë kur aktorë të korruptuar kërkojnë të mbushin xhepat e tyre, t’u shërbejnë interesave të tyre, e të përfitojnë nga korrupsioni në kurriz të qytetarëve të zakonshëm”.

Kështu është shprehur i ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner, i cili ka dhënë disa mesazhe të rëndësishme për politikën dhe shoqërinë shqiptare.

“Presidenti Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv në qershor 2021 duke deklaruar se kushdo që kërcënon paqen, sigurinë, stabilitetin, ose integritetin territorial të ndonjë hapësire në Ballkanin Perëndimor do t’u nënshtrohej sanksioneve të SHBA”, tha ai në një intervistë për gazetën “Panorama”.

Ai shtoi se “kemi parë sanksione të SHBA në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Wisner theksoi mbështet fort Prokurorinë e Posaçme SPAK në hetimet ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes dhe krimit të organizuar.

“Mendoj se SPAK-ut i takon një meritë shumë e madhe për përpjekjet e tij. Provat janë te rezultatet. Po shohim më shumë dënime, më shumë sekuestrime, më shumë konfiskime, më shumë hetime dhe më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, çka do të thotë se SPAK po zhvillon reputacionin si organ serioz, i besueshëm ligjzbatimi me të cilin vendet e tjera mund të hyjnë në partneritet për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin”, ravijëzoi Wisner.

Ky i fundit ravijëzoi ndër të tjera se Shqipëria është një aleate në NATO, një mike dhe partnere e Shteteve të Bashkuara.

“Duam të mbështesim çdo përpjekje për të çuar përpara integrimin në BE të Shqipërisë dhe trajektoren e saj trans-atlantike. Kjo përfshin mbështetjen tonë për reformën në drejtësi.  Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare”.

Vizitën e SPAK-ut në Washington, DC, muajin e kaluar Wisner e cilëson si demonstrim të përpjekjeve antikorrupsion të Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore