Samsung gjobitet pas ekspozimit të punëtorëve ndaj rrezatimit

Komisioni i Sigurisë Bërthamore miratoi dënimin administrativ për prodhuesin e çipave
SHFLETO
Klevis Hoxhaj
26.09.2024 23:00
Loading Icons...

Samsung Electronics Co. u gjobit deri në 7 mijë 900 dollarë nga rregullatorët e Koresë së Jugut pasi punonjësit në një fabrikë gjysmëpërçuese u ekspozuan ndaj rrezatimit.

Kështu bën të ditur kompania mediatike “Bloomberg”.

Komisioni i Sigurisë Bërthamore miratoi dënimin administrativ për prodhuesin e çipave pas kryerjes së një hetimi, tha agjencia në një deklaratë të enjten.

Në maj, dy punonjës që punonin në një linjë prodhimi në fabrikën e çipave të Samsung në Giheung, rreth 40 kilometra në jug të Seulit, u ekspozuan ndaj rrezatimit dhe u shtruan në spital në Institutin Korean të Shkencave Radiologjike dhe Mjekësore.

Ata kishin shfaqur simptoma jonormale në gishtat e tyre për shkak të ekspozimit të lokalizuar.

Samsung ka thënë se do të bashkëpunojë me hetimin dhe do të japë mbështetje për punëtorët e prekur.

Kompania shtoi gjithashtu se do të bënte çmos për të parandaluar aksidente të mëtejshme.