Biznes

Sam Bankman-Fried ka marrë 2.2 miliardë dollarë nga FTX


Më shumë se dy miliardë dollarë iu transferuan Sam Bankman-Fried nga FTX, sipas dosjeve gjyqësore të falimentimit të bëra nga menaxhmenti i ri i shkëmbimit të kriptomonedhave.

Mësohet se Bankman-Fried dhe pesë anëtarë të rrethit të tij të brendshëm transferuan 3.2 miliardë dollarë në total në llogaritë e tyre personale në formën e “pagesave dhe kredive”, fondet që vinin kryesisht nga Alameda Research, një fond mbrojtës i tregtimit të kriptove i lidhur me FTX.

John Ray, shefi i ri ekzekutiv i FTX, ka kërkuar të identifikojë vendndodhjen e kriptomonedhës dhe aseteve të tjera që mund t’u kthehen përfundimisht miliona klientëve të FTX, llogaritë e të cilëve janë ngrirë që nga rënia e tij.

Sakaq, Bankman-Fried po përballet me një duzinë akuzash federale në lidhje me kolapsin e FTX duke e akuzuar atë për mashtrim të letrave me vlerë dhe grabitje të platformës për përfitime personale.

Menaxhmenti i FTX ka bërë me dije se shifra prej 3.2 miliardë dollarësh nuk përfshin 240 milionë dollarë për “pronë luksoze në Bahamas”, “dhurime politike dhe bamirëse” dhe “transferime të konsiderueshme” për filialet.

Ndërkohë, Bankman-Fried ka marrë 2.2 miliardë dollarë prej tyre.

Tre persona të brendshëm të FTX që janë deklaruar fajtorë dhe po bashkëpunojnë me prokurorët – Nishad Singh, Gary Wang dhe Caroline Ellison – transferuan gjithsej më shumë se 800 milionë dollarë, sipas FTX.

Ellison, ish-kreu i Alameda, mori vetëm gjashtë milionë dollarë. Ajo u ka treguar prokurorëve kur u deklarua fajtore për ndryshimet e mashtrimit se nga viti 2019 në 2022 Alameda kishte akses në “një linjë të pakufizuar krediti në FTX.com”.

Ndërkaq, FTX po heton mënyrat e mundshme për të rikthyer transfertat te Bankman-Fried dhe ish-kolegët e tij, megjithatë “sasia dhe koha e rikuperimeve eventuale monetare nuk mund të parashikohen në këtë moment”.

Dy ish-drejtues të tjerë të FTX, Ryan Salame dhe John Samuel Trabucco, thuhet se së bashku kanë marrë më shumë se 100 milionë dollarë.

Në një moment, FTX u vlerësua në 40 miliardë dollarë me Bankman-Fried duke shërbyer efektivisht si fytyra e industrisë së kriptove.

Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat federale dhe është mbajtur në shtëpinë e prindërve të tij në Kaliforni deri në një gjyq që do të fillojë në tetor.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore