Gatimi

Salmon me pure patatesh, për vaktin tuaj ideal


Përgatisni shumë lehtë peshkun salmon të shoqëruar me pure patatesh duke ndjekur hapat e recetës. Një pjatë me vlera ushqyese dhe shumë shije për çdo vakt gjatë javës.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit

Përbërësit për salmonin: 800 gr fileto salmoni, 2 domate, 3 thelpinj hudhre, 1 spec djegës, 1/2 qepë, 1/2 spec jeshil, 1/2 spec të verdhë, 1 tufë majdanoz, pak selino, kripë, piper, vaj ulliri.

Përbërësit për purenë: 4 patate, 1 filxhan kafeje qumësht, 2 thelpinj hudhre, pak arrë moskat, pak rozmarinë, trumzë, pak gjalpë, kripë, piper.

Përgatitja

Nisim me përgatitjen e salmonit duke e prerë në 4 fileto dhe duke e marinuar me kripë e piper. Gjithashtu presim perimet në rripa të hollë dhe domatet në kubikë.

Vendosim një tenxhere në zjarr me temperaturë të mesme. Në të vendosim salmonin dhe e pjekim shumë shpejt nga të dyja anët.

E heqim salmonin mënjanë dhe vendosim në të njëjtën tenxhere të gjitha perimet, përveç domates dhe majdanozit. Kur të jenë skuqur pak, shtojmë domatet, majdanozin dhe në fund salmonin.

Vazhdojmë gatimin për 10 minuta të tjera, në mënyrë që përbërësit të marrin shijen e njëri-tjetrit.

Nisim përgatitjen e puresë. Vendosim patatet për t’i zier në temperaturë të ulët.

Kullojmë patatet dhe i fusim menjëherë në ujë të ftohtë, që më pas t’i qërojmë.

I shtypim me pajisjen e puresë ose me pirun, derisa të formohet një masë e njëtrajtshme.

Purenë e vendosim në tenxhere dhe shtojmë përbërësit e tjerë. Përziejmë mirë derisa të lidhen me njëri-tjetrin.

Salmonin e vendosim në pjatë bashkë me purenë e patateve, dhe është gati për t’u shijuar!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore