Kosova

“Kjo festë na sjell ndërmend sakrificën e solidaritetin”, Konjufca uron Kurban Bajramin


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

“Sakrificë dhe solidaritet, këto na i sjell ndërmend Kurban Bajrami si falënderim për Krijuesin. Në këtë frymë, të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë të bekuar”, ka shkruar ai në Facebook.

“Uroj që në këtë ditë të shenjtë dhe përgjithnjë, në shpirtin e secilit të frymojë mirësia e përkujdesja, mirënjohja për çka kemi dhe zemërgjerësia ndaj atyre që nuk kanë”.

Ai ka shtuar se mesazhi i kësaj feste “na fton të reflektojmë për të kuptuar thelbësisht vlerën e sakrificës si themel të bashkësisë shoqërore dhe njerëzore”.

“Kjo ditë na tregon se shtrirja e dorës ndaj atyre më në nevojë mes nesh, e zgjeron shpirtin dhe ai gjen vetveten te kjo përfshirje barazitare, përkundër përjashtimit”.

Ndryshe, manifestimi qendror në Kosovë kushtuar Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se shprehja e atdhedashurisë në lutjet e përditshme është një ndjenjë e natyrshme sepse është një dhuratë e pashtershme.

“Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend”, tha Tërnava.

Ai ka shtuar se Kurban Bajrami është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën.

“Këtë e arrijmë duke kryer vepra të mira, duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtaret“.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore