Sport

‘Saga Mbappe’ drejt fundit – sulmuesi francez kthehet në stërvitje, mund të nënshkruajë vazhdimin e kontratës


Sulmuesi i Paris St-Germain, Kylian Mbappe është rikthyer në stërvitjet e ekipit të parë dhe ka gjasa të qëndrojë te kampionët e Francës edhe këtë verë.

Sulmuesi francez, 24 vjeç, nuk kishte qenë duke u stërvitur me skuadrën e parë dhe u la jashtë ndeshjes hapëse të sezonit ku PSG-ja dhe Lorient nuk arritën të shënojnë asnjë gol.

Ai ka qenë në një bllokim të kontratës mes dëshirës për t’iu bashkuar Real Madridit, por tani mund të zgjasë kontratën e tij me PSG.

PSG njoftoi se Mbappe u rikthye pas bisedimeve “shumë konstruktive dhe pozitive”.

Mbappe ka një vit të mbetur nga kontrata e tij aktuale dhe deri më tani ka refuzuar të nënshkruajë një kontratë të re.

Muajin e kaluar, PSG i dha skuadrës Arabe Saudite Al-Hilal lejen për të biseduar me lojtarin pasi bëri një ofertë rekord botëror prej 259 milionë funte.

Riintegrimi i tij është arritur pas diskutimeve mes të gjitha palëve në 12 orët e fundit.

Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ka qenë i bindur se nuk do ta linte sulmuesin të largohej për asgjë dhe mendohet se ka një lloj marrëveshjeje që do ta shohë Mbappe të nënshkruajë zgjatjen njëvjeçare të marrëveshjes së tij aktuale, siç ishte parashikuar fillimisht.

Kjo do të zgjasë deri në vitin 2025 dhe do të lejojë PSG-në të shesë Mbappe te Reali verën e ardhshme.

“Pas diskutimeve shumë konstruktive dhe pozitive midis Paris St-Germain dhe Kylian Mbappe para ndeshjes PSG – Lorient, lojtari është rikthyer në skuadrën stërvitore të ekipit të parë këtë mëngjes”, ka njfotuar zyra për media e PSG-së.

Mbappe, iu bashkua PSG-së në vitin 2017 fillimisht si huazim nga Monaco para një transferimi prej 180 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore