Shqipëria

Saga e vrasjeve në Memaliaj – Cilat janë lidhjet?


Mbrëmja e vonë në qytetin e Memaliajt u shkund nga një vrasje e trefishtë – që supozohet ta ketë zanafillën në vitin 2022.

Ngjarja ndodhi në një lokal, në afërsi të bashkisë, ku dyshohet se ka qenë i pranishëm edhe objektivi i atentatorëve: Shyqyri Kalemi, i ati 74 vjeçar i Andrea Kalemit (ndryshe Adriatik Kalemi).

Ndërkohë, dy viktimat e tjera janë identifikuar si Marsel Çela 47 vjeç, dhe Gledio Muka 36 vjeç – klient dhe kamerier që gjendeshin në lokal kur ndodhi vrasja. Të dy mbetën të vrarë pas breshërisë së kallashnikovit që u derdh në drejtim të shënjestrës së autorëve të vrasjes.

Kurse i plagosur ka mbetur Artur Kalemi 57 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë. Ai ndodhet në reanimacion në Spitalin Rajonal te Gjirokastrës nën mbikëqyrjen e mjekëve kirurgë pasi ka marrë dy plumba, një në kofshë dhe një në kraharor.

Thuhet se viktimat po qëndronin në pjesën e jashtme të lokalit, ndërsa janë qëlluar me breshëri armësh.

Menjëherë pas vrasjes, Memaliaj është blinduar. Forcat RENEA, të Sigurisë Kombëtare dhe drejtues të policisë u vunë në gatishmëri. Pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve sakaq janë ngritur në tre qytete: Fier, Berat dhe Vlorë.

Pas ngjarjes, Policia ka gjetur duke u djegur në fshatin Bejaj një automjet tip BMW, që dyshohet se është përdorur nga autorët.

Megjithatë, priten detaje të reja nga ngjarje dhe zbardhje e së vërtetës së vrasjes nga Policia.

Pistat e hetimit? Njëra prej tyre thuhet se është saga e vrasjeve të nisura në vitin 2022, me ekzekutimin me tritol të Aleksandër Sadikajt dhe disa muaj më pas të Edmond Papës.

Policia dyshon se Andrea Kalemi të jetë i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor të 2022, ndërsa Sadikaj ishte i afërm i vëllezërve Kalemi.

Të gjithë, emra të njohur në botën e krimit.

Shyqyri Kalemi dhe Artur Kalemi janë të afërt të Andrea Kalemit, të cilit i janë bërë së paku tre atentate deri më tani – ku të triave u ka shpëtuar.

E shkuara e errët e Andrea Kalemit

Andrea Kalemi nuk është një emër i panjohur për policinë.

Në vitin 2001, rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA, ndërkohë që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge.

Akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan dhe Adriatik Çaça.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

Kurse në vitin 2017, Kalemi është arrestuar në Tiranë bashkë me dy shtetas të tjerë pasi duke qenë nën efektin e alkoolit, kanë kundërshtuar punonjësin e policisë duke prishur rendin dhe qetësinë publike.

Sakaq, një person i katërt që ishte bashkë me ata, goditi me shufër hekuri në kokë punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.

Kalemit, në vitin 2022, i është vrarë me shpërthim eksplozivi djali i hallës, Aleksandër Sadikaj. Dhe disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa si shenjë hakmarrje për vrasjen e Sadikajt.

Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo dhe është në kërkim shoku tjetër Andrea Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.

Kalemi, referuar policisë dhe prokurorisë, rezulton të ketë lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden.

Të dy bashkë me individë të tjerë, familjarë të viktimës Aleksandër Sadikaj, dyshohet se kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e 27-vjeçarit është organizuar në qytetin e Sarandës, në hotelin e Edmond Papës.

Ky hotel menaxhohej dhe nga vëllai i 49-vjeçarit Kristo Qirici. Dhe Kalemi rezulton bashkëpronar i një kompani me adrese ne Memaliaj dhe objekt “ne fushën e tregtisë, import, eksport, trageti me shumicë dhe pakicë e mallrave industriale, ushqimore, bujqësore e blegtorale”.

Gjithashtu figuron pronar i një bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele, agjenci shitblerje dhe dhënie me qira të pasurive të patundshme, agjenci transporti të udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete të ndërtimit. Rezulton të jetë pronar edhe i një kompanie pastrimi të sipërfaqeve urbane, gjelbërimi, mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta apo dhe mirëmbajtje e varrezave publike dhe dekorim të qytetit.

Po ashtu rezulton të jetë pronar i një bujtine në Memaliaj, si dhe të një lokali në Tiranë.

Kush ishte Aleksandër Sadikaj?

Sadikaj ndërroi jetë në spital pasi automjeti i tij shpërtheu në afërsi të TEG-ut. Në automjetin tip “Benz” ishte vendosur lëndë eksplozive.

Sadikaj ishte me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes, krimeve ndaj personit dhe narkotikëve.

Ai ishte pronar i një resorti me pistë hipizmi, i njohur si “Sancho Farm Albania” në Memaliaj.

Më 9 prill 2011, ai është arrestuar në Berat, pasi, së bashku me një person tjetër kanë tentuar të vjedhin në subjektin AlbTelecom-Berat.

Në fund të majit, Sadikaj është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi Gjykata e Vlorës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Më 31 maj 2017, është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Më 23 tetor 2018, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 8 muaj burgim, për këtë vepër.

Kurse më 29 maj të po këtij viti është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Më 9 korrik 2019, Sadikaj është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me thikë shtetasin A. D., duke i shkaktuar dëmtime serioze në trup.

Ai ka tentuar po ashtu që të vrasë me thikë 40-vjeçarin nga Vlora Berti Tahiraj, pranë Kanalit të Cukës në Sarandë.

Më datë 30 korrik 2019, Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore