Kosova

Saga e Asociacionit, Szunyog: Kurti, Osmani e Konjufca premtuan themelimin – sa më shpejt aq më mirë për Kosovën


Tomas Szunyog

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka kërkuar që draft-statuti evropian i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dërgohet sa më parë në Gjykatën Kushtetuese, pasi që kështu Kosova do të përshpejtonte rrugën e saj drejt BE-së.

Diplomati çek ka përmendur faktin se Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca kishin premtuar themelimin e Asociacionit në letrën që i kishin dërguar Këshillit të Evropës, prandaj kërkon që të lëvizet në këtë drejtim.

“Por përsëri, ky është vetëm hapi i parë në procesin e themelimit të Asociacionit”, ka thënë Szunyog për “EkonomiaOnline”.

Në këtë drejtim, ai mendon se Asociacioni është diçka që duhet bërë, ndonëse kryeministri Kurti, pasi që fillimisht e ka pranuar draftin që “pesëshja e madhe” ia solli më 21 tetor të vitit të kaluar, po e konsideron si një “non-paper”.

“Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më mirë për përparimin e Kosovës në rrugën për t’u bërë anëtare e BE-së”, shtoi ambasadori.

Duke folur për draftin që BE ka propozuar, Szunyog ka përmendur faktin që Kurti kishte qenë i gatshëm ta nënshkruante në takimin që kishte pasur me liderët evropianë në tetor të vitit të kaluar.

Në vlerësimin e diplomatit çek, ashtu siç kanë thënë edhe eprorët e tij, ky draft respekton vijat e kuqe të të dyja palëve dhe në këtë drejtim i njëjti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“E pra, përsëri, Asociacioni është obligim i Kosovës, që nuk është i ri. Për themelimin e tij është rënë dakord në vitin 2013. Fjala vjen, kjo marrëveshje është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë Kushtetuese. Pra, nga ky këndvështrim, është obligim ndërkombëtar i Kosovës…”.

“Kryeministri Kurti në fakt ishte i gatshëm ta pranonte këtë draft dhe ta nënshkruante tetorin e kaluar. Pra, nga ky këndvështrim, ne besojmë se ky është një draft i mirë, duke respektuar vijat e kuqe të të dyja palëve. Dhe ne besojmë se duhet marrë dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese në atë mënyrë që të jetë e pranueshme dhe Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për këtë”, shtoi.

Aktualisht, Asociacioni është tema të cilën ndërkombëtarët po bëjnë presion ndaj Kosovës për ta zbatuar, duke qenë se është një obligim të cilin Prishtina vetë e ka pranuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja janë duke kërkuar që Kosova ta bëjë hapin e parë drejt themelimit të këtij mekanizmi, që është dërgimi i draft-statutit evropian në Gjykatën Kushtetuese.

Por, Kosova, përkatësisht kryeministri Kurti, ndonëse në parim e kishte pranuar këtë draft në fillim, tani atë po e konsideron si një “non-paper”, dhe si të tillë ka deklaruar se nuk do ta dërgojë në Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore