Lajme

Sa është transparente Qeveria Kurti me gazetarët?


Qeveria Kurti.

Me ardhjen e Qeverisë Kurti, në shkurt të këtij viti, komunikimi i përfaqësueseve të shtetit me qytetarët përmes medieve u bë shumë i rrallë.

Komunikimi me qytetarë filloi të bëhej vetëm përmes konferencave të rralla për medie, të cilat i organizonin vetë dhe flisnin vetë, çka dëshironin, pa u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve më pas.

Kështu mundësia e intervistimit të zyrtarëve të qeverisë ose ministrive të caktuara të Qeverisë së Kosovës u bë gati e pa mundur.

Përveç kësaj edhe komunikimet me shkrim i rralluan.

Zyrtarët për medie të Qeverisë dhe Ministrat, zgjodhën llogaritë e tyre në Facebook për të dhënë informatat që ata donin ti jepnin, shpesh herë të pa shpjegueshme mjaftueshëm, por me kaq mjaftoheshin.

Përveç kohës së fushatës zgjedhore, kabineti i Qeverisë Kurti nuk u pa as në debate televizive.

Kjo situatë po vazhdon edhe tani, dhjetë muaj pas, Kryeministri e Ministrat e Qeverisë së Kosovës, komunikojnë atë që duan, kur të duan dhe shpalosin aq sa duan.

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, për Albanian Post u shpreh se media të ndryshme dhe të shumta e kanë vënë në theks mbylljen e Qeverisë Kurti në përgjigje ndaj gazetarëve.

“Deklaratat publike të dy zëdhënësve të Qeverisë janë shumë të rralla, ndërkohë që nga dhjetëra pyetje që dërgohen gjatë gjithë ditës nga media të ndryshme tek qeveria shumë pak prej tyre marrin përgjigje dhe këtë na thonë vetë gazetarët”, ka thënë Rexha.

Por, deklaron se AGK-ja është duke qëndruar në kontakt me gazetarët në mënyrë që të veprohet diçka për këtë çështje.

“Ajo çfarë jemi duke bërë aktualisht është që jemi në kontakt me mediat për të marrë një numër më saktë le të themi të kërkesave që janë bërë brenda një kohe të caktuar dhe sa prej tyre kanë marrë përgjigje nga ana e Qeverisë për të e bërë më të qartë masën se sa informuese është kjo qeveri”.

Ilustrim i gazetarëve në konferenca për media.

Rexha thekson se, “Kurti në konferenca për media i lejon gazetarët që të bëjnë pyetje për çështje të ndryshme, por që këto takime nuk janë të mjaftueshme”.

Raste të tilla në të cilat gazetarët nuk marrin përgjigje janë të shpeshta edhe në mediumin Kanal10, kështu bën të ditur për Albanian Post kryeredaktori i këtij mediumi, Naim Sadiku.

“Janë dhjetëra raste vetëm të mediumit tonë, që gazetarët nuk marrin fare përgjigje, ose duhet pritur për ditë të tëra për një përgjigje me shkrim”.

Sadiku sqaron se, “një qasje të tillë e gjen edhe nga ana e Qeverisë, mirëpo edhe pothuajse tek çdo ministri”.

Hezitim nga institucionet shtetërore ka edhe për temat më të thjeshta.

“Tash e tri ditë gjashtë ministri të ndryshme, nuk janë duke kthyer përgjigje për disa tema që lidhen me shpenzimin e buxhetit për këtë vit”, deklaron ai.

Edhe pas ankesave të gazetarëve që nuk po ka transparencë të mjaftueshme të institucioneve shtetërore me gazetarët, Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL” thotë se nuk janë paraqitur kërkesa të mediave drejtuar Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

“Sipas ligjit, institucionet kanë shtatë ditë kohë për përgjigje dhe në rast që nuk kthejnë përgjigje apo ndalojnë qasjen në dokumente publike, ankesa duhet të dërgohet tek Agjensia për Informim dhe Privatësi, e cila ka për detyrë pastaj t’i shtyjë institucionet që ta respektojnë ligjin”, tha ai për AP.

Megjithatë, Hoxha konsideron se në rastin e mungesës së komunikimit mes këtyre dy palëve mund të shfaqen problematika.

“Roli i mediave duhet të jetë informimi i drejt, por edhe një platformë që e mban qeverinë përgjegjëse”.

Ilustrim: Gazetarët në konferenca për media.

“Nëse ky qëllim nuk përmbushet dhe krijohet konflikt në mes të mediave dhe qeverisë, atëherë kjo bije direkt në kurriz të qytetarëve dhe krijohet hapësirë për keqpërdorim të parasë publike apo postit zyrtar”.

Por, sqaron se ka veprime të cilat mund të ndërmarrin edhe gazetarët në rast se ka mungesë të informacioneve.

“Ankesat duhet të dërgohet tek Agjensia për Informim dhe Privatësi, e cila e ka obligim ligjor që të “detyrojë” institucionet që ta respektojnë ligjin. Institucionet nëse nuk kthejnë përgjigje apo nuk ofrojnë qasje në dokumente publike, Agjensia mund edhe të shqiptoj gjoba apo veprime të tjera drejt institucioneve”.

Transparenca është një çështje me të cilën merren shumë autoritete, institucione dhe biznese. Transparenca paraqet një nga parimet themelore për arritjen e një demokracie të shëndoshë dhe një shteti apo shoqërie funksionale, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore