“Rusofil” – Pacolli, Osmanit për akuzat nga presidenca: Po rrezikohet siguria ime, cilat janë faktet?
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar serish pasi ka thënë se qe një kohë të gjatë po bëhet fushatë “linçuese” ndaj tij nga presidenca, meqë Rinor Nuhiu, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, e kishte quajtur “rusofil”, derisa Pacolli ka theksuar se po i rrezikohet siguria atij dhe familjes.
“E nderuara presidente, ju që jeni figura unifikuese dhe mbi-partiake sipas kushtetutës, simbol i tolerancës dhe mosdiferencimit, ka një kohë një fushatë linçuese dhe dizinformative po realizohet nga institucioni juaj, duke më ofenduar disa herë dhe duke më quajtur serbofil dhe rusofil”, shkroi Pacolli në Facebook.
“Unë jam i sigurt se nuk ka asnjë arsye për këtë. Mbi të gjitha, me këto akuza, institucioni juaj po rrezikon sigurinë time dhe të familjes sime në një kohë kur vendi ynë përballet me polarizim të thellë”, shtoi deputeti Aleancës Kosova e Re.
Ai ka potencuar tutje se duke marrë parasysh se institucioni i presidencës nuk mund të shpifë apo të gënjejë, ka shtuar se “ajo që ju thoni duhet të jetë e vërtetë dhe e mbështetur nga faktet”.
“Institucioni dhe familjar te tuaj e kanë përsëritur këto akuza disa herë; tani, ju lutem të tregoni cilat janë faktet?”, ka pyetur ai.
Sipas Pacollit, këto akuza po bëhen, pasi sipas tij, institucioni i presidencës “nuk respekton mendimin e të tjerëve”, derisa ia rikujtuar Osmanit se kishte votuar pro zgjedhjes së saj presidente e Kosovës, pavarësisht dallimeve.
“Siç e mbani mend mirë, unë votova për zgjedhjen tuaj, pavarësisht dallimeve tona në shumë çështje, e konsiderova zgjedhjen e duhur në atë kohë në respekt të rezultateve të zgjedhjeve dhe kandidaturës tuaj. Për këtë arsye, ju lutem të paraqisni publikisht provat që vërtetojnë këto akuza”, shtoi.
“Sigurisht që nuk lejoni degradimin e institucionit të presidentit për të akuzuar dikë pa prova. Dilni me prova, thoni çdo gjë që dini, përndryshe qytetarët do ta kuptojnë se nga institucioni juaj është shpifur se paku, dhe është udhëhequr një fushate linçuese ndaj meje”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com