Lajme

Rusia po rekruton komando afganë të trajnuar nga SHBA-të


Forcat speciale afgane, të cilët luftuan së bashku me trupat amerikane dhe më pas u larguan në Iran pas tërheqjes kaotike të SHBA-ve vitin e kaluar, tani po rekrutohen nga ushtria ruse për të luftuar në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press”, duke cituar tre ish gjeneralë afganë.

Ata thanë se rusët duan të tërheqin mijëra ish-komando elitar afganë në një “legjion të huaj”.

Oferta e autoriteteve ruse përfshin pagesa të qëndrueshme, 1 mijë 500 dollarë në muaj dhe premtime për strehë të sigurta për veten dhe familjet e tyre.

Kjo, në mënyrë që ata të shmangin deportimin në Afganistan.

Njëri prej veteranëve tha për AP-në se rekrutimi udhëhiqet nga forca mercenare ruse Wagner Group.

Një tjetër gjeneral shtoi se përpjekja po ndihmohet gjithashtu nga një ish-komandant i forcave speciale afgane, i cili jetonte në Rusi dhe flet gjuhën ruse.

Rekrutimi rus vjen pas disa muajsh paralajmërime nga ushtarët amerikanë që luftuan me forcat speciale afgane.

Talebanët, sipas tyre, kishin për qëllim t’i vrisnin dhe se ata mund të bashkoheshin me armiqtë e SHBA-ve për të qëndruar gjallë ose nga zemërimi me ish-aleatin e tyre.

Një raport i Kongresit Amerikan në gusht paralajmëroi veçanërisht për rrezikun që komandot afgane – të trajnuar nga Forcat e Marinës Amerikane dhe Beretat e Gjelbërta të Ushtrisë – mund të përfundojnë duke i dhënë informacion në lidhje me taktikat e SHBA-ve, grupit të Shtetit Islamik, Iranit ose Rusisë – ose të luftojnë për ta.

Është e paqartë se sa pjesëtarë të forcave speciale afgane që ikën në Iran janë kontraktuar nga rusët, por njëri i tha AP-së se po komunikonte përmes WhatsApp-it me rreth 400 komando të tjerë që po shqyrtojnë ofertat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore