Kosova

Rusia përmes dezinformatave në Kosovë po synon nxitjen e një narrative kundër Perëndimit, thotë studiuesi austriak


Dietmar Pichler

Rusia si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë përmes dezinformatave po synon të nxitë një narrativë kundër Perëndimit.

Kështu mendon analisti dhe studiuesi austriak, Dietmar Pichler, i cili thekson se dezinformatat ruse kanë arritur të ndikojnë në Ballkanin Perëndimor me synim destabilizimin e rajonit.

“Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë ndikimi është më i ulët dhe tentohet që të prishen miqësitë me Perëndimin duke krijuar konfuzion edhe në nivel shtetëror”, ka thënë ai për A2 CNN.

Në leximin e tij Rusia përmes luftës hibride po synon të arrij dy qëllime në Ballkanin Perëndimor.

“E para, Rusia po dëshiron që të krijojë një lloj aleance me të gjitha vendet ku dominon Kisha Ortodokse, duke dashur të promovojnë një unitet sllav dhe të çojnë përpara idetë e tyre pan-sllave që i njohim nga historia, ndërsa e dyta dëshiron të krijojë destabilitet, madje ka që mbështesin tezat se kërkon një luftë për të tërhequr vëmendjen nga Ukraina, që është pak kontradiktore nga ideja e parë për të qenë forcë dominuese, por në vende të cilat kanë orientim të qartë synojnë që të shkaktojnë sa më shumë dëme”.

Operimi i mediave ruse në Serbi, sipas Pichler, është një kërcënim për paqen në rajon pasi ato japin një realitet krejt tjetër të situatës në botë, ndërsa tentojnë të bindin audiencën se çdo gjë që thotë e vepron Perëndimi është gabim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore