Kosova

Rusia kundërshton furnizimin e Kosovës me raketa të SHBA-së


Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Rusisë, Maria Zakharova, në një konferencë për shtyp të mërkurën, kundërshtoi ashpër aprovimin e kërkesës së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin” amerikan, sepse, sipas saj, minon procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Papërgjegjësia e SHBA-së, mosrespektimi i normave të së drejtës ndërkombëtare dhe dispozitave të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), minojnë procesin e negociatave për çështjen e Kosovës dhe rrisin rrezikun e destabilizimit si në krahinë ashtu edhe në rajon”, theksoi ajo, transmeton faqja e diplomacisë ruse në platformën “X”.

Vlera e “Javelin”-it amerikan, në bazë të Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), vlerësohet 75 milionë dollarë, ndërsa në pako përfshihen gjithsej 246 raketa FGM-148F dhe 24 njësi për lëshimin e raketave – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të kombit të vogël ballkanik, në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Sistemi amerikan fitoi rëndësi në fushëbetejën e Ukrainës – një simbol i rezistencës së forcave ukrainase ndaj agresionit rus. Anti-tanku “Javelin” është një prej armëve më të sofistikuara në botë, i cili mund të depërtojë në armaturën e të gjitha tankeve dhe mjeteve të blinduara moderne.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore