Lajme

Rusia kërkon mbylljen e Agjencisë Hebraike për Izraelin


Në Rusi, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar mbylljen e Agjencisë Hebraike për Izraelin.

Kështu ka bërë me dije të enjten e 21 korrikut pasdite Agjencia e Lajmeve “RIA Novosti”.

Sakaq, burime në Agjencinë Hebraike kanë pohuar për “The Jerusalem Post” se asgjë nuk ka ndryshuar që nga raportimi i fundit mbi kërkesën ruse për mbylljen e zyrave të organizatës në Moskë.

Pra, që nga apelimi që agjencia i ka bërë gjykatës.

Javën e ardhshme do të ketë një diskutim gjyqësor për këtë çështje. Deri atëherë, agjencia po përpiqet të luftojë çështjen.

“Për këtë çështje është caktuar të enjten e ardhshme seanca paraprake dhe kjo është vazhdimi i procedurave ligjore. Siç kemi thënë deri më tani, nuk do të përgjigjemi gjatë procesit ligjor”, ka thënë zëdhënësja Hagit Halali.

Kurse një burim i afërt me agjencinë ka treguar se “vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për mbylljen e agjencisë nuk ka ndryshuar”.

“Agjencia u ankua për të zgjatur kohën që ka në mënyrë që të shpëtojë operacionet e saj në Rusi”, ka vijuar ai.

Sipas tij, çështja nuk është ligjore, “por më tepër politike dhe vendimi do të ndryshojë vetëm nëse udhëheqja politike dhe diplomatike izraelite bashkohen”.

Ndërkaq, burime diplomatike kanë treguar se ka dy probleme serioze në mënyrën se si Agjencia Hebraike e menaxhoi këtë krizë.

“Kjo është sjellje skandaloze e agjencisë, ata nuk e kanë përditësuar Ministrinë e Jashtme për këtë krizë edhe pse të gjithë zyrtarët diplomatikë dëgjuan për këtë çështje”, kanë thënë ata.

Zyrtarë të tjerë në institucionet kombëtare kanë thënë se “kryeministri Yair Lapid nuk e ka marrë seriozisht këtë krizë, ai nuk ka mbajtur asnjë takim për këtë çështje të ndjeshme”.

Megjithatë, “The Jerusalem Post” ka mësuar se Lapid ka mbajtur disa takime dhe konsultime të brendshme për çështjen e agjencisë në Rusi.

Ministri i Çështjeve të Diasporës, Nachman Shai, ka shprehur indinjatën për masën e ministrisë ruse.

“Hebrenjtë rusë nuk do të mbahen peng nga lufta në Ukrainë. Përpjekja për të ndëshkuar Agjencinë Hebraike për pozicionin e Izraelit ndaj luftës është patetike dhe fyese. Hebrenjtë e Rusisë nuk do të jenë në gjendje të shkëputen nga lidhja historike dhe emocionale me Shtetin e Izraelit”, ka thënë ai.

Më herët, ambasadori i Izraelit në Rusi i kërkoi Moskës sqarime pasi Ministria ruse e Drejtësisë ndërmori veprime kundër Agjencisë Hebraike.

Në fillim të këtij muaji, ministria ruse i dërgoi një letër Agjencisë Hebraike me një listë të shkeljeve të supozuara të ligjit dhe pasojave të tyre.

Agjencinë Hebraike mësohet se ka ngritur akuza për mbledhjen e paligjshme të informacionit për qytetarët rusë.

Përveç kësaj, në javët e fundit, Rusia zgjeroi përkufizimin e saj të një agjenti të huaj për të përfshirë këdo që merr mbështetje nga jashtë dhe angazhohet në veprime që autoritetet përcaktojnë se janë kundër interesit kombëtar të Rusisë.

Dhe ky kategorizim mund të zbatohet për Agjencinë Hebraike ose organizata të tjera hebraike që veprojnë në Rusi.

Goditja ndaj Agjencisë Hebraike ka ardhur pasi Yair Lapid, i cili ka qenë zë kritik ndaj pushtimit rus të Ukrainës, u bë kryeministër.

Por politika e Izraelit për Ukrainën nuk ka ndryshuar nën udhëheqjen e Lapid.

Jerusalemi nuk ka dërguar asnjë ndihmë ushtarake në Kiev, vetëm ndihma humanitare, për shkak të shqetësimit të rrezikimit të mekanizmit të dekonfliktit me Rusinë që lejon Izraelin të godasë objektivat iraniane në Siri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore