Lajme

Rusia akuzon Izraelin për mbështetje të neo-nazistëve, kundërpërgjigjet Qeveria izraelite


Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar Izraelin për mbështetje të neo-nazistëve në Ukrainë, duke e përshkallëzuar më tej një debat, që nisi pas pretendimeve të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, se “Adolf Hitler kishte origjinë hebreje”.

Qeveria izraelite kritikoi Lavrov-in të hënën, duke thënë se pretendimi i tij – i bërë kur flitej për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është hebre – ishte një gënjeshtër “e pafalshme” që poshtëroi tmerret e Holokaustit nazist.

Moska përsëriti pikën e Lavrov-it se origjina hebraike e Zelensky-t nuk e pengonte Ukrainën që të drejtohej nga neo-nazistët.

“Antisemitizmi në jetën e përditshme dhe në politikë nuk ndalet dhe përkundrazi ushqehet në Ukrainë”, thuhet në një deklaratë.

Ministri i Shëndetësisë i Izraelit, Nitzan Horowitz, reagoi menjëherë pas deklaratës së ministrisë së Jashtme ruse, duke thënë se “nuk ka regjim neonazist në Ukrainë dhe se Zelensky nuk është nazist”, përcjell Albanian Post.

Horowitz kritikoi atë që ai e quajti “propagandën” e Rusisë që bën krahasime midis pushtimit të Ukrainës dhe luftës së Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste.

“Dhe po, Izraeli mbështet integritetin dhe sovranitetin e Ukrainës përballë një pushtimi brutal rus”, përfundoi Horowitz.

Lavrov këtë deklaratë e bërë të dielën, kur u pyet se pse Rusia tha se duhej të “denazifikonte” Ukrainën nëse vetë presidenti i vendit, Volodymyr Zelenskyy, ishte vetë hebre.

Izraeli ka shprehur mbështetje për Ukrainën pas pushtimit rus në shkurt.

Por i kujdesshëm për dëmtimin e marrëdhënieve me Rusinë, një ndërmjetës fuqie në Sirinë fqinje, ai fillimisht shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Moskës dhe nuk ka zbatuar sanksione formale ndaj oligarkëve rusë.

Megjithatë, lidhjet janë tensionuar më shumë, me Qeverinë izraelite, që muajin e kaluar akuzoi Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore