Kosova

Rukiqi thotë se LV-ja po i “manipulon” statistikat: Po bënë krahasime me muajt që i konvenojnë


Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi.

“Një tjetër manipulim statistikor nga zyra për propagandë e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi.

Këto komente ai i bëri pas prezantimit të disa shifrave nga partia në pushtet, ku paraqitet rritja e investimeve të huaja direkte në Kosovë.

Rukiqi pohon se për ta paraqitur këtë rritje, pushteti për krahasim po përdorë muajt që i konvenojnë.

“Kësaj radhe me shifrat e Investimeve të Huaja Direkte, duke krahasuar të dhënat e çerekut të parë të vitit 2022, me të dhënat e çerekut të parë të vitit 2023, pra duke i përdorur për krahasim muajt të cilët ju kanë konvenuar më shumë”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Sipas tij, e vetmja rrugë e kësaj qeverie për të treguar ndonjë sukses është tentativa për “manipulime” me statistika.

“Një qeveri me performancën më të dobët në realizimin e investimeve kapitale, që nuk ka rritur të nis asnjë projekt të rëndësishëm për ekonominë e vendit, e për më shumë e ka përkeqësuar rejtingun e Kosovës për investime të jashtme, duke prodhuar kriza të vazhdueshme, e vetmja rrugë për të treguar ndonjë ‘sukses’, është tentativa për manipulim me statistika të paqëndrueshme dhe grafikone të hiperbolizuara”, shtoi.

Ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës beson se kontributi me i rëndësishëm i këtij pushteti në ekonominë e vendit janë “prodhimi i videove propaganduese dhe infografike me manipulime statistikore”.

Ky reagim ka ardhur pasi që Lëvizja Vetëvendosje, të hënën duke u thirrur nga të dhëna të paraqitura nga Banka Qendrore e Kosovës, përdori një periudhë kohore për krahasim dhe thanë se janë rritur investimet e huaja direkte.

“Afër +70 milionë euro më shumë investime të huaja direkte në Kosovë këtë katër mujorin e parë krahasuar me katër mujorin e vitit të kaluar”, shkruan nga LV-ja në Facebook.

Periudha kohore që u krahasua ishte janar-prilli i vitit të kaluar me vitin aktual.

Mund të jetë një imazh i teksti

“2023 (Janar-Prill) 251.5 milionë euro; 2022 (Janar-Prill) 184.1 milionë euro”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore