Kosova

Rrugët plotë borë, Haradinaj: Qeveritarë, dilni e shihni gjendjen


Ilustrim

Ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka thënë se rruga Prishtinë-Pejë po i demanton institucionet përgjegjëse, kjo pas reshjeve të borës, duke treguar kështu mospastrimin e rrugëve nga ana e institucioneve relevante.

“Dilni në terren pak o qeveritarë e shihni si është gjendja, me kilometra kolonë”, shkroi Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Nëse vazhdon me ra borë kësisoj, paralajmëroi ish-deputeti i AAK-së, “vaj halli për ne!”.

“Mos thoni që reshjet e borës janë të befasishme, sepse borë në Gusht nuk bien, vetëm dimrit!”, përfundoi ai.

Reshjet e borës që kanë filluar që nga orët e para të mëngjesit të së shtunës, kanë vështirësuar qarkullimin rrugor në shumë zona të Kosovës.

Nga pamjet që janë publikuar nga qytetarë të shumtë shihen rrugët e papastruara nga institucionet kompetente, çka ka bërë që të trafiku të rëndohet, duke u krijuar kështu kolona të gjata.

Një nga rrugët e kryeqytetit.

Deri më tani, sa i përket gjendjes së rrugëve, nuk ka pasur reagim nga institucionet e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore