Shqipëria

“Rruga e vetme përpara është turizmi i qëndrueshëm”


“Turizmi i qëndrueshëm është e vetmja mënyrë për të bërë përpara”.

Ky është mendimi i ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili ka zhvilluar një takim me operatorët turistikë në Ksamil, në kuadër të turit të javëve të Evropës.

“E mrekullueshme të ndash të njëjtat pritshmëri dhe shqetësime me operatorët turistikë sarandjotë”, shkruan Soreca në Twitter.

Sipas një postimi tjetër të Bashkimit Evropian në Shqipëri, 70% e turistëve e zgjedhin vendmbërritjen turistike në bazë të ofertës së trashëgimisë kulturore që një vend ofron.

Pikërisht për këtë fakt, Shqipëria është shumë e vlerësuar. Së bashku me trashëgiminë kulturore, vlerë e shtuar janë edhe bregdeti i mrekullueshëm dhe ushqimi i shijshëm.

“BE-ja është këtu për ta ndihmuar Shqipërinë t’i japë shtysë turizmit dhe prosperitetit ekonomik. Kjo, duke ruajtur njëkohësisht mjedisin dhe trashëgiminë kulturore. Janë investuar në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 40 milionë euro për një industri turizmi, e cila nuk shkatërron por ndërton të ardhmen”, përmbyllet postimi.

Turi i ambasadorit Soreca nga Vermoshi drejt Konispolit, do të përmbyllet të dielën e 30 majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore