Kosova

“Rruga e re”, Abdixhiku publikon premtimet


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës të hënën ka prezantuar programin “Rruga e Re”, që u tha se nga ky subjekt përmbahen 100 zotime.

Abdixhiku, përmes një shkrimi ka thënë se në këto zotime përfshihet rritje ekonomike, rritja e koeficientit të pagës, gazifikimi i Kosovës, ndërtimi i Qendrës Spitalore në Prishtinë, ndërtimi i autostradave të Gjilanit dhe të Pejës, si dhe rrugë të tjera, janë disa prej zotimeve të kësaj nisme.

“Ato janë të elaboruara në një program voluminoz e të detajuar, i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti. Ju ftoj t’i lexoni ato. Të jepni mendimet tuaja për to”.

“Të diskutojmë bashkërisht për to, e në raste dhe t’i pasurojmë ato. ‘Rruga e Re’ fundja do të jetë një udhërrëfyes i gjallë me plotësime gjatë gjithë kohës”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka shtuar se duhet të flitet për të ardhmen pasi “s’ka më kohë për të humbur”.

“Ne duam të flasim për të ardhmen. E shkuara s’na kthehet më. S’kemi pse humbasim kohë. E ardhmja po na ikën përpara. Ne shohim një Kosovë më ndryshe. Ku urrejtja e brendshme zëvendësohet me unitet nacional. Ku akuzat, sharjet e ofendimet zëvendësohen me projekte të mëdha”.

“Ku cinizmi zëvendësohet me ambicie e ëndrra që lehtësisht bëhen realitet. Duam të flasim për atdheun tonë si një vend që pasurohet siç dhe e meriton; me një shoqëri moderne e me një gjeneratë që e bën Kosovën të barabartë mes shteteve e kombeve evropiane”.

“Me nismën ‘Rruga e Re’, Lidhja Demokratike e Kosovës, synon që bëjë koalicion me qytetarin, që Kosovës t’i jepet pamje e re”, kishte thënë në një intervistë për Albanian Post nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

“Rruga e Re”, sipas Hazirit është dokument i ri i politikave sektoriale dhe i programit qeverisës, që LDK i ka diskutuar me mbi 200 ekspertë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore