Lajme

Rrjedhjet e gazit në Nord Stream 2 do të vijojnë me javë dhe dikush i ka shkaktuar, thotë kryeministrja daneze


Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, mendon se rrjedhjet e gazit të Nord Stream 2 i ka shkaktuar dikush qëllimisht dhe ato do të vijojnë me javë.

Kështu bëri me dije ajo gjatë një konference për shtyp në Copenhagen, ku u fol pikërisht për ngjarjet e fundit në detin Baltik, ku pati rrjedhje masive të paparashikuar gazi në gazsjellësin Nord Stream 2.

Çështja ende nën hetim, nuk e ka nxjerrë një fajtor konkret, por varianti i sabotimit të tubacioneve, nuk është i përjashtuar aspak.

Madje, ky version, është më i mundshmi sipas autoriteteve.

Nuk dihet ende nëse pas mund të fshihet Rusia apo dikush tjetër, por në të tillë skenar, SHBA-të dhe aleatët e NATO-s janë zotuar të marrin masa shumë të ashpra ndaj aktit.

Instituti suedez sizmik nga ana tjetër, kë bërë me dije se ka pasur “shpërthime” nënujore të regjistruara para rrjedhjeve të gazsjellësit Nord Stream.

‘Jashtëzakonisht e rrallë’

Agjencia daneze e energjisë tha se vetëm zona ku ndodhet shtëllunga e gazit do të ndikohet nga rrjedhja, por metani që del në atmosferë ka një “efekt dëmtues të klimës”, sipas agjencisë së lajmeve Ritzau.

“Rrjedhjet e tubacioneve të gazit janë jashtëzakonisht të rralla dhe për këtë arsye ne shohim një arsye për të rritur nivelin e gatishmërisë pas incidenteve që kemi dëshmuar gjatë 24 orëve të fundit”, tha në një deklaratë drejtori i Agjencisë Daneze të Energjisë, Kristoffer Bottzauë.

Ola Westberg, zëdhënëse e Agjencisë Suedeze të Energjisë, i tha AFP të martën se nuk ishte marrë ende asnjë vendim dhe se ata “ishin në dialog me Danimarkën”.

I ndërtuar paralelisht me gazsjellësin Nord Stream 1, Nord Stream 2 synonte të dyfishonte kapacitetin për importet e gazit rus në Gjermani.

Berlini bllokoi Nord Stream 2 të sapopërfunduar në ditët para luftës.

Gjermania, e cila ka qenë shumë e varur nga importet e lëndëve djegëse fosile nga Rusia për të plotësuar nevojat e saj energjetike, që atëherë është nën stres akut pasi Moska ka pakësuar furnizimet.

Gjigandi energjetik rus Gazprom reduktoi në mënyrë progresive vëllimet e gazit që shpërndahej përmes Nord Stream 1 derisa mbylli plotësisht tubacionin në fund të gushtit, duke fajësuar sanksionet perëndimore për vonesën e riparimeve të nevojshme në tubacion.

‘Sulm në shënjestër’

Gjermania ka kundërshtuar shpjegimin teknik të Gazprom për shkurtimin, në vend të kësaj duke akuzuar Moskën se përdor energjinë si një armë mes tensioneve për luftën në Ukrainë.

Ndërkohë, e përditshmja gjermane Tagesspiegel raportoi se “tubacionet Nord Stream mund të jenë dëmtuar nga sulmet në shënjestër dhe si rezultat të jenë rrjedhur”.

Sipas një burimi pranë qeverisë dhe autoriteteve përkatëse, të cituar në gazetë, “çdo gjë flet kundër një rastësie”.

“Ne nuk mund të imagjinojmë një skenar që nuk është një sulm i synuar”, tha burimi.

Rrjedhjet e Nord Stream 1 u vunë re për herë të parë të hënën në mbrëmje, disa orë pasi u raportua një rënie e presionit në Nord Stream 2, sipas Administratës Detare Suedeze (SMA).

“Rreth orës 20:00 (1800 GMT) ne morëm një raport nga një anije që kalonte duke thënë se ata panë diçka në radarin e tyre pak më në veri të ishullit Bornholm”, i tha AFP Fredrik Stromback, zëdhënës i SMA.

Si rezultat i rrjedhjeve, janë lëshuar paralajmërime lundrimi për një distancë prej pesë miljesh detare dhe një lartësi fluturimi prej 1 mijë metrash.

“Incidentet në dy tubacionet nuk kanë asnjë ndikim në furnizimin në Danimarkë”, tha Jorgensen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore