Shqipëria

Rritje e lartë e eksporteve në 6-mujorin e parë, tejkalojnë me 16% edhe 2019-n


Institucioni i Statistikave, INSTAT, ka publikuar shifrat e eksporteve për 6 muajt e parë të vitit 2021.

Në numra, sipas INSTAT-it, në 6-mujorin e parë të vitit 2021, eksportet arritën në 176.6 miliardë lekë, me një rritje prej 41% në raport me të njëjtën periudhë, vitin e kaluar. Ndërsa, në krahasim me periudhën janar-qershor të 2019-s, rritja e eksporteve është gati 16%.

Sipas të dhënave, eksportet kanë vijuar ecurinë pozitive në krahasim me vitin 2019, para se të fillonte kriza pandemike.

Rritjet kryesore të eksportimeve e kishin grupi i “materialeve të ndërtimit dhe metalet” dhe “mineralet lëndë djegëse e energji”, të favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare.

Kategoria tjetër e gupeve që kanë vijuar zgjerimin e qëndrueshëm janë eksportet e ushqimeve dhe ato të makinerive e pajisjeve.

Ndërsa, tekstilet dhe këpucët mbeten të vetmet grupe eksporti që janë më poshtë se niveli i vitit 2019.

Po të krahasojmë shifrat e raportit të 6-mujotit të parë të vitit 2021, me ato të vitit 2020, vihet re një rritje shumë e fortë. Kjo, për shkak të frenimit të eksporteve gjatë periudhës së karantinës që përfshiu gjithë Evropën.

Për sa i përket muajit qershor, eksportet arritën vlerat e 34.8 miliardë lekëve, ose 50.8% më shumë se qershorin e 2020-s (kur shitjet jashtë vendit sa kishin filluar të merrnin veten nga pandemia) dhe 36.6% më të larta në raport me qershorin e vitit 2019.

Tekstilet dhe këpucët, shpresa për përmirësim pas qershorit

Tekstilet dhe këpucët, si grupi kryesor i eksportuesve në vend, me 32% të totalit, paraqiten në nivele të ulëta, si pasojë e karantinave të reja të Evropës.

Ndonëse u rritën 16.6% në raport me 6-mujorin e parë të vitit2020, shitjet e këtij grupi janë 9.7% më të ulëta në raport me 6-mujorin e vitit 2019-s.

Sipas eksportuesve, sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja. Kjo, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur. Megjithatë, rihapja graduale e Evropës ka rritur shpresat për këtë sektor.

Rritje e materialeve të ndërtimit dhe metaleve

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve janë grupi i tretë më i madh eksportues në vend. Ata kapin shifrat e 20% të totalit të eksporteve të Shqipërisë.

Ky sektor vijoi ecurinë pozitive edhe gjatë muajit qershor.

Sipas shifrave të INSTAT-it, për 6-mujorin e parë, eksportet e këtij grupi u rritën me 100.5%, ndërsa janë 43.7% më të larta se periudha para pandemike, janar-qershor të vitit 2019.

Rritje edhe për lëndët djegëse

Përveç sektorit të materialeve të ndërtimit e metaleve, eksportet e ushqimeve dhe ato të makinerive e pajisjeve, rritje shënon edhe sektori i  mineraleve. Lëndët djegëse e energjia është rritur me 89.5% për 6-mujorin në raport me vitin e kaluar dhe 48% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Grupet e tjera gjithashtu shënuan rritje

Grupi i ushqimeve, pije dhe duhan ka vazhduar tendencën rritëse të saj, nisur prej tre vitesh. Ky grup ishte më pak i prekuri nga kiza dhe u zgjerua me 15.7% për 6-mujorin e vitit 2021.

Rritje përjetoi edhe sektori i makinerive dhe pajisjet e pjesëve të këmbimit, të cilit u rritën me 32.5% në raport me 6-mujorin e vitit të kaluar dhe 35.1% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Rritet, po ashtu, edhe deficiti tregtar

Por, edhe pse në 6-mujorin e parë të vitit 2021 janë rritur eksportet me 40.9 %, duke kapur vlerën e 177 miliardë lekëve, po ashtu u rritën edhe importet. Këto të fundit, për 6-mujorin e parë të vitit 2021, arritën vlerën e 354 miliardë lekë dhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rritën me 30.5%.

Deficiti tregtar, i cili është raporti midis importeve dhe eksporteve, sipas INSTAT-it, ka treguar rritje.

Kjo ka sjellë edhe rritje të deficitit tregtar, i cili arriti në vlerën e 178 miliardë lekëve, duke u rritur me 21.7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-s.

Rritje e eksporteve drejt Italisë, Kosovës e Spanjës

Sipas raportit të INSTAT-it, për qershorin e vitit 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me qershorin e vitit të kaluar janë: Italia (28.9 %), Kosova (49.1 %) dhe Greqia (115.3 %). Ndërsa, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Mbretëria e Bashkuar (21.3 %) dhe Ukraina (58.4 %).

Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me 6-mujorin e parë të një viti më parë, janë: Italia (31.8 %), Kosova (66.8 %) dhe Spanja (39.6 %). Vende me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Mbretëria e Bashkuar (27.7 %) dhe Ukraina (39%).

INSTAT ka publikuar shifrat edhe për shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së, të cilat zënë 60% të gjithë tregtisë.

Në qershor të vitit të tanishëm, eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 70% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së ishin 54.9 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia me 29.4 %, Turqia me 9.2%, Greqia me 6.9 % dhe Gjermania me 6.6 %.

Shkëmbimet tregtare, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, me vendet e BE-së zunë 61.8 % të të gjithë tregtisë.

Po në këtë periudhë, eksportet drejt vendeve të BE-së ishin 72.5 %të eksporteve gjithsej dhe importet nga këto vende ishin 56.4 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia me 31.4 %, Turqia me 7.9%, Greqia me 7% dhe Gjermania me 6.6 %.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore