Rritja e pensioneve nga 1 tetori, sa përfitojnë realisht pensionistët?

SHFLETO
Vitjon Nina
17.09.2024 7:15
Loading Icons...

Pensionet në Shqipëri do të rriten me 4.1% gjatë muajit tetor, sipas një vendimi të miratuar nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, teksa javën tjetër pritet të miratohet edhe nga Qeveria.

Pavarësisht se një vlerë e vogël, sërish për pjesën më të madhe të pensionistëve, rritja mund të tregohet substanciale.

Megjithatë, ka një logjikë për këtë shifër, e cila nuk është rastësore dhe lidhet me inflacionin për mallrat e shportës, që ka ndodhur nga viti 2023, deri në vitin 2024. Kjo rritje ka qenë pikërisht në shifrën e 4.1%.

ISSH miraton indeksimin 4.1% për mbi 770 mijë pensionistë

Por, sa do të jetë realisht shifra e përfituar nga pensionistët, në terma të shumës monetare plus që përfitojnë.

Duke folur në terma mesatarë, në qytete pensioni mesatar kap shifrën e 18 mijë e 234 lekëve.

Sipas termave të indeksimit të publikuara, duke llogaritur shtesën me 4.1%, atëherë mesatarisht një pensionist do të përfitojë plus shumën prej 748 lekësh. Kjo do ta çojë vlerën e pensionit mesatar në qytete në 18 mijë e 982.

Është e kuptueshme që për personat, të cilët përfitojnë një pension mbi këtë mesatare, rritja do të jetë lehtësisht më e madhe dhe për ata nën mesatare, rritja do të jetë lehtësisht më e ulët, sipas bazës së pensionit.

Nga ana tjetër, e njëjta logjikë vlen edhe për zonat rurale, ku pensioni në fshatra është në kuotën mesatare të 11 mijë e 51 lekëve.

Sipas skemës, rritja mesatare në këto zona, do të jetë mesatarisht prej 453 lekësh, duke parë përqindjen e dakordësuar.

Pra, në terma mesatarë, pensioni në fshat do të bëhet 11 mijë e 504 lekë.

Për ata mbi mesatare, sërish rritja do të jetë disi më e lartë dhe për ata nën mesatare, rritja do të jetë më e ulët.