Kosova

Rritja e pagës për 6.8 euro, Mustafa i PDK-së: Për 4 vjet qeverisje, masa e vetme lehtësuese


Arben Mustafa dhe Memli Krasniqi

Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka reaguar pasi që Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se nga muaji shtator secili i punësuar që e ka një shumë të caktuar të rrogës mujore/vjetore duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë, pas hyrjes në fuqi të ligjit për pagën minimale.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se qeveria e paska bë një ndryshim simbolik të politikës fiskale, përmes ndryshimit të shkallëve të tatimit në të ardhura personale.

Ai ka shpjeguar se individët me të hyra të tatueshme prej 500 euro, tani do t’i kenë në llogaritë e tyre 6.80 euro shtesë.

Pra, në 4 vite qeverisje, Mustafa ka potencuar se “kjo është reforma fiskale e kësaj qeverie dhe masa e vetme lehtësuese kundrejt rritjes së kostos së jetesës, 6.80 euro shtesë!”.

Çka ndodhi?

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se nga muaji shtator secili i punësuar që e ka një shumë të caktuar të rrogës mujore/vjetore duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë.

Ky vendim i ATK-së vjen pas hyrjes në fuqi të ligjit për pagë minimale. Deri tani kushdo që kishte pasur pagë mbi 250 deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim.

“Tatimi në të ardhura personale vjetore, ngarkohet sipas shkallëve në vijim: Për të ardhurat e tatueshme deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), zero për qind (0%)”.

“Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €) dhe për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), njëqind e nëntëdhjetë e dy euro (192 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €)”, ka sqaruar ATK-ja në njoftim.

Ndërsa kanë njoftuar se versioni i ri do të publikohet në sistemin elektronik para ose deri më 1 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore