Shqipëria

Rritja e numrit të aksidenteve, Policia e Shtetit kontrolle intensive


Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, që sipas dhe INSTAT-it janë të larta, Policia Rrugore, ka kryer kontrolle intensive.

Policia e Shtetit ka raportuar se ka marrë disa masa, si “intensifikimi i kontrolleve në të gjitha akset rrugore nacionale, duke përdorur radarë, dronë e patrulla të lëvizshme, të pajisura me automjete, të pa-uniformuara, kamera e aparate fotografike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore”.

Si rezultat i këtij kontrolli, gjatë 48 orëve të fundit, janë konstatuar drejtues mjetesh që “abuzonin me shpejtësinë, parakalimet e gabuara apo me alkoolin në timon”.

Janë kapur në flagrancë 15 drejtues mjetesh, nga të cilët 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe tre për drejtim pa leje drejtimi.

“Në rrugën interurbane, tuneli i Krrabës-Tiranë”, konstaton Policia Rrugore e Tiranës, “janë konstatuar shpejtësi deri në 175 km/h në kulmin e trafikut, ndërsa në Bypass-in e Fierit, Policia Rrugore e Fierit ka konstatuar shpejtësi deri në 196 km/h”.

Ndër të tjera, Policia ka marrë masa të rrepta, duke pezulluar 40 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara.

Gjithashtu, Policia e Shtetit  ka vendosur 288 masa administrative me vlerë nga 5 mijë deri në 22 mijë lekë të rinj, për shpejtësi tej normave të lejuara, bazuar në ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor.

“Gjithsej janë ndëshkuar 3 mijë e 151 drejtues mjetesh brenda 48 orëve”.

Në fund, Policia u bën thirrje drejtueseve që të kenë kujdes me shpejtësinë, të lidhin rripat e sigurimit dhe t’i respektojnë të gjitha rregullat e qarkullimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore