Financa

Rritja e ekonomisë britanike me ritmin më të shpejtë në 80 vjet


Sipas një parashikuesi kryesor ekonomik, EY Item Club, ekonomia britanike po rritet me ritmin e saj më të shpejtë në 80 vitet e fundit dhe deri në fund të këtij viti mund të rimarrë madhësinë e saj të periudhës para pandemisë.

Për parashikuesin, ekonomia britanike e varur nga shpërndarja e vaksinave dhe kthimi pas i shpenzimeve konsumatore, tanimë pritet që Produkti i Brendshëm Bruto të rritet me 7.6 për qind çka do të ishte rritja më e shpejtë vjetore e të ardhurave kombëtare që nga viti 1941.

Kjo vjen pas vitit të vështirë 2020 kur ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u tkurr me 9.8 për qind, duke e kthyer vendin në performancën më të keqe në G7.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se ky optimizëm vjen përkundër kaosit të shkaktuar nga mungesa e përhapur e stafit teksa punëtorët vetë-izolohen në masë pasi u nxorën nga prova dhe gjurmimi i NHS-së. Çka po ndikon në drejtimin e dyqaneve, restoranteve, fabrikave dhe madje edhe shërbimeve hekurudhore teksa pronarët përpiqen të gjejnë personel për të mbuluar ndërrimet.

Edhe pse ekonomia është provuar gjithnjë e më elastike përmes bllokimeve, raporti i nxjerrë nga EY Item Club erdhi me paralajmërimin se “modeli i ardhshëm i pandemisë dhe çdo kufizim i rinovuar i lidhur me pandeminë do të ketë një ndikim të rëndësishëm në arritjen e parashikimit”.

Martin Beck, këshilltari i vjetër ekonomik i EY Item Club, ka thënë se ekonomia britanike është më e varur nga shpenzimet e konsumatorëve në shërbime, të tilla si rekreacion dhe aktivitete të kohës së lirë, çka do të thotë se bllokimet kanë pasur një ndikim më të madh ekonomik sesa në vendet e tjera.

Ai ka sqaruar se rihapja e këtyre “pjesëve ballë për ballë të ekonomisë do të thotë që Mbretëria e Bashkuar duhet të ketë një rimëkëmbje përkatësisht më të shpejtë”.

Grupi i ekonomistëve në pranverë, parashikoi një rritje prej 6.8 për qind dhe kjo është hera e dytë këtë vit që ka përmirësuar parashikimin, duke e vënë ekonominë në rrugën e duhur për të arritur kulmin e saj para pandemisë deri në fund të vitit 2021.

Me programin e suksesshëm të vaksinave të Mbretërisë së Bashkuar, ky moment historik do të arrihej tanimë afro gjashtë muaj më shpejt.

Për sa i përket sondazheve të fundit të aktivitetit ekonomik, ato kanë qenë më pak inkurajuese, duke çuar në shqetësime se rimëkëmbja po ngec.

Sondazhi i kryer nga IHS Markit dhe Cips tregoi rritjen më të ngadaltë që nga muaji mars. Kjo i atribuohej mungesës së stafit, shkallët në rritje të Covid-it dhe mijëra punëtorëve që duhet të izolonin. Gjithashtu theksoi një gjendje të re të kujdesit tek publiku, i cili ishte shkaktuar nga ritmet e infektimit në rritje të shpejtë.

Në bazë të raportit të EY Item Club u paralajmërua se rritja e inflacionit dhe papunësia mund të ndikojnë në rritje. Grupi mendon se në fund të vitit 2021, inflacioni i çmimit të konsumit mund të arrijë në 3.5 për qind, para se të bjerë përsëri në vitin 2022.

Dhe se papunësia mund të rritet në gjysmën e dytë të vitit, duke arritur kulmin në 5.1 për qind para se të bjerë përsëri në 4.6 për qind në vitin 2022.

“Teksa konsumatorët kanë grumbulluar rezervat e tyre më të mëdha të kursimeve që nga Lufta e Dytë Botërore, pyetja e madhe është nëse ata në të vërtetë do të fillojnë të shpenzojnë këto fonde pasi të hiqen kufizimet në aktivitet”, ka thënë Beck.

Ai ka shtuar se “supozimi është që ata do e bëjnë, por kjo nuk është e garantuar. Tabloja për konsumatorët nuk është plotësisht pozitive: kursimet janë përqendruar në familjet me të ardhura më të larta, kurse papunësia dhe inflacioni më i lartë do të ndikojnë në rritjen e të ardhurave reale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore