Shqipëria

Rriten eksportet, por edhe deficiti tregtar në Shqipëri


Instituti i Statistikave në Shqipëri ka publikuar të martën e 17 majit raportin mbi tregtinë e jashtme, sipas të cilit deficiti tregtar arriti vlerën e 123 miliardë lekëve, duke u rritur me 6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Eksportet e mallrave, përgjatë katër muajve të parë të vitit 2022, arritën vlerën e 162 miliardë lekëve, duke u rritur me 48.8 % krahasuar me një vit më parë.

Sa u përket importeve të mallrave, arritën vlerën 285 miliardë lekë, pra një rritje me 26.7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Sipas raportit, kjo ecuri reflekton në arkëtimin e më shumë të ardhurave nga shtrenjtimi i naftës dhe metaleve në bursat ndërkombëtare, si edhe në përmirësimin e industrisë së tekstileve e këpucëve.

“Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike me 16%, materiale ndërtimi dhe metale me 14.7% dhe tekstile dhe këpucë me 7.8%”, cilëson INSTAT.

Referuar të dhënave, rritja më e lartë u vërejt në grupin e mineraleve, lëndëve djegëse, energjisë, që u zgjerua me rreth 18 miliardë lekë, duke arritur në 38 miliardë lekë të ndikuara nga rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Ecuri pozitive është vërejtur edhe në grupin e tekstileve dhe këpucëve. Ky grup ka tejkaluar dhe nivelin e para pandemisë, e ndikuar nga një rritje e kërkesës nga partnerët dhe çmimet më të larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore