Kosova

Rriten çmimet sërish në artikuj ushqimorë


Ilustrim.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), përmes publikimit të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin nëntor 2023, krahasuar me muajin nëntor 2022 rezulton që rritja e çmimeve të konsumit është më i lartë për 2.9%.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej (2,9 %) në muajin nëntor 2023 krahasuar me muajin Nëntor 2022”, thuhet në raportin e ASK-së.

Tutje thuhet se rritja kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.

“Pemët 19,4%, perimet 16,1%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 10,8 %, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 7,7%, prodhimet ushqimore 7,0%, veshjet dhe këpucë 6,0%, pijet alkoolike, duhani 5,9%, rekreacionet dhe kultura 5,3%”.

Rritje kanë pasur edhe energjia elektrike, gazi dhe lendet djegëse.

“Energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera u rriten 4,8%, buka dhe drithërat 3,5%, mallrat dhe shërbimet e ndryshme 2,7% dhe mishi (1,2%), dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,1 për qind në IHÇK-it”.

Ndërsa rënie e çmimeve sipas raportit vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.

“Ajrat dhe yndyrat (-10,3%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj (-4,9%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK-it”.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej 0,1 % në muajin nëntor 2023 krahasuar me muajin Tetor 2023.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: shërbimet për transport (-4,0%) dhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-3,6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,4 për qind në IHÇK-it”.

Edhe më 1 shtator, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka bërë të ditur se çmimet e importit janë rritur për 1.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar duke importuar më shumë dhe eksportuar më pak gjë që, siç thonë ekspertët, e pengon edhe rritjen e saj ekonomike.

Prej se ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, ajo ka pasur sfida të ndryshme sa u përket shkëmbimeve tregtare edhe me Serbinë, pasi kjo e fundit nuk i njeh dokumentet e institucioneve të Kosovës.

Kosova ka nisur të lëshojë dokumente me vulën “Doganat e Kosovës” nga viti 2008, duke e zëvendësuar vulën e deriatëhershme të Misionit të Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore