Çmimet e cigareve, miellit dhe vajit kanë pësuar rritje në vitin 2021.
Çmimet e paketave të cigareve janë shtrenjtuar me 10 lekë. Kjo rritje e çmimit të cigareve ka ardhur si pasojë e rritjes së akcizës nga 1 janari me 5 lekë.
Çmimi mesatar për paketë arriti në 260 lekë, duke u rritur me 4% më shumë se vitin e kaluar.
Sipas raportimeve, çmimi i vajit është rritur me 20 lekë për litër, 12.5% më shumë nga viti i kaluar. Çmimi mesatar për litër arriti në 180 lekë, nga 160 që ishte vitin e kaluar.
Çmimi i miellit u rrit me 6 %, duke arritur në 300 lekë për kuintal. Rritja e çmimeve të vajit dhe miellit është ndikuar nga shtrenjtimit i lëndës së parë në tregjet ndërkombëtare. Pandemia ka goditur sektorët e prodhimit në Evropë, rrjedhimisht duke ndikuar në ndryshimin e çmimeve të mallrave.
Rusia, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të grurit, ka kufizuar prodhimet. Ky vendim është marrë për të krijuar rezervat e nevojshme për përballimin e krizave të papritura që mund të shkaktojë pandemia gjatë kësaj periudhe.
Kufizimi i prodhimit ndikoi në rritjen e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare. Duke pasur parasysh që Rusia dhe Serbia janë furnizuesit kryesorë të grurit në vendin tonë, ndikimi i këtij ndryshimi në çmime po reflektohet dhe në tregun vendas.
Ndërkohë, rritja e çmimit të cigareve lidhet me masat e marra nga qeveria në 2017. Qeveria shqiptare miratoi një kalendar për rritjen e akcizës vit pas viti deri në 2021.
Sipas këtij kalendari, akciza në vitin 2021 arriti në 6500 lekë për 1000 copë cigare, nga 6250 lekë që ishte vitin e kaluar.
Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve. Pas fushatave sensibilizuese dhe ndëshkuese nga ana e qeverisë, akciza pritet të ndikojë në uljen e konsumit të cigares, përmes rritjes së çmimit të shitjes.
Në lidhje me Shqipërinë, sipas të dhënave, rritja e akcizës krijon hapësira për fenomenin e kontrabandës. Kontrabanda ndikon në mënyrë negative për ekonominë e vendit sepse krijon një disbalancim në tregje, duke vështirësuar në këtë mënyrë efektivitetin e masave qeveritare.
Artikujt e mallrave të tjera të shportës ushqimore po shiten më të njëjtat çmime si vitin e kaluar. Sipas tregtarëve të pakicës, konsumi ka rënë për të gjitha kategoritë e mallrave ushqimore.
Arsyet kryesore për rënien e konsumit lidhen me largimin e njerëzve jashtë vendit dhe me tkurrjen e të ardhurave si rezultat i papunësisë që ka krijuar pandemia./AlbanianPost.com
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
“Pikë Uji” – Një pasqyrë pa dashur të mbajë anë, thotë skenaristja Ajola Daja për Albanian Post
-
Shqipëria jep 5 milionë euro për investime në bujqësi në 2024
-
Kush ishte Ibrahim Aqil – komandant i njësive elitare të Hezbollahut – i vrarë nga një sulm izraelit
-
Kurti do të marr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë