Shqipëria

Rrëzohet rezoluta për dënimin e masakrës së Srebrenicës, debat mes Berishës dhe Ballës


Votohet kundër rezoluta “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë” e propozuar në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike (PD), Tritan Shehu.

“Votuat sipas urdhrit të Aleksandër Vuçiç. Shqipëria nuk ka pasur kurrë më anti-shqiptar se Edi Rama. Votuat duke shkelmuar mbi jetët e 10 mijë shqiptarëve në Kosovë”, tha ish-kryeministri Sali Berisha menjëherë pas votimit.

Më herët, gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se njohja e gjenocidit në Srebrenicë është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë e civilizuara.

“Kjo seancë shënon një moment të rëndësishëm, në jetën e këtij parlamenti dhe po kaq me rëndësi për kombin shqiptar. Nisma e deputetëve të Grupit të Partisë Demokratike për të dënuar gjenocidin serb në Bosnjë është nismë që synon nderimin e 8 mijë viktimave të Srebrenicës, në tërësi burra dhe djem të besimit myslimanë”.

Sipas tij, udhëheqësit aktualë me në krye “Aleksandër Vuçiç janë arkitektë të këtij gjenocidi”.

“Kemi detyrim për të dënuar këtë. Vuçiç tha për çdo serb të vriten 100 boshnjakë. Shqipëria ndihmoi gjatë luftës në Bosnjë në të gjitha mënyrat”.

Pas Berishës fjalën në Kuvend e mori kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla i cili lëshoi akuza në drejtim të ish-kryeministrit duke e bërë dhe atë përgjegjës për masakrën e Srebrenicës dhe “sa i përket luftës së Kosovës, mbetesh tradhëtari më i madh”.

Balla tha se Berisha për disa vite ka furnizuar makineritë e luftës me karburant, gjë që sipas tij e konfirmojnë edhe raportet amerikane.

“Gjenocidi serb, nga ushtria jugosllave është ushqyer me naftën prej teje. Kjo çështje nuk mbyllet sot. Në 25 prill të 1995, pra rreth 3 muaj nga dita e ndodhjes së kësaj tragjedie, gazeta New York Times publikon një raport, ku thuhej se Shqipëria po furnizon me naftë kontrabandë ushtrinë serbe në Bosnjë”.

Balla mes të tjerash paralajmëroi Berishën se pas 4 vitesh nuk do të jetë më deputet në këtë sallë.

Masakra e Srebrenicës

Më 11 korrik të vitit 1995 forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenicës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës. Kjo e fundit ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993-in.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

Dënimi i Radko Mladiç

Të mbijetuarit e masakrës së Srebrenicës u mblodhën në qytetin fatkeq boshnjak për të parë vendimin që u dha për ish-komandantit serb Radko Mladic, mbi akuzat për krime lufte.

Deri sot, ekspertët kanë identifikuar 6 mijë viktima të masakrës. Pjesa e mbetur pritet të identifikohen, në mënyrë që të varrosen në varrezat memorialë të Srebrenicës.

Mlladiç, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër popullatës jo serbe në luftën e Bosnjës.

Ai ka humbur apelin e bërë kundër dënimit të vitit 2017 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata ka mbajtur vendimin me burgim të përjetshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore