Lajme

“Rrethanat politike janë të përshtatshme për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi bazuar në propozimin franko-gjerman”


Për të deleguarin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzej Franges, propozimi franko-gjerman, i cili së fundmi u quajt si propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca e Gjermania, e të cilin Albanian Post e kishte publikuar pjesërisht më 18 shtator e tërësisht më 12 nëntor, vjen në një kohë të duhur dhe rrethana të përshtatshme.

Albanian Post nga burime diplomatike kishte mësuar se marrëveshja e parë në kuadër të këtij propozimi duhet të nënshkruhet deri më 24 shkurt, afat të cilën e kishte konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Megjithatë për diplomatin slloven në këtë fazë nuk bëhet fjalë për një afat të qartë, paçka marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas modelit franko-gjerman nuk do të thotë se ka kohë të pakufizuar.

“Jemi në një situatë ku, ndoshta për herë të parë që nga fillimi i dialogut, ne kemi liderë, të cilët janë mjaft të fortë në mjediset e tyre dhe mes votuesve që të mund të marrin dhe zbatojnë vendime të vështira”, ka thënë Franges në një intervistë për BBC edicioni në gjuhën serbe.

Duke shtuar se “unë nuk e di se ka një presion të drejtpërdrejtë kohor, por ka një hapësirë ​​kohore që nuk është e përjetshme – megjithëse nuk jam i sigurt se gjërat mund të përfundojnë brenda disa muajsh”.

Sipas tij tensionet edhe nervozizmi i liderëve si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia buron nga vetë fakti i mundësisë për përparim në dialog, e jo nga çështje teknike si targat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore