
Ka shkuar në 395, të premten e 15 prillit, numri i të vdekurve nga përmbytjet në bregun lindor të Afrikës së Jugut.
Nga përmbytjet e kësaj jave në provincën KwaZulu-Natal janë rrëzuar linjat e energjisë elektrike, janë mbyllur shërbimet e ujit, është ndërprerë funksionimi në një nga portet kyç të Afrikës, ndërsa autostradat dhe plazhet janë mbushur me mbeturina, duke prekur më shumë se 40 mijë njerëz.
Autoritetet e Afrikës së Jugut kanë lëshuar fonde emergjente të premten për të ndihmuar dhjetëra mijëra njerëz, të cilët kanë mbetur pa strehë, ujë dhe energji elektrike.
Ministri i Financave, Enoch Godongwana, për stacionin televiziv “Newsroom Africa” tha se fillimisht 1 miliard rand (68.3 milionë dollarë) për ndihmë emergjente ishte i disponueshëm për përdorim të menjëhershëm, pasi provinca u shpall një zonë fatkeqësie.
Autoritetet lokale e kanë vlerësuar dëmin në disa miliardë randë.
Stacionet televizive lokale treguan vullnetarë që pastronin kontejnerë plastikë, grumbuj bambush dhe drurësh nga plazhi i Durban-it.
Shkencëtarët besojnë se bregdeti juglindor i Afrikës po bëhet më i prekshëm ndaj stuhive të furishme dhe përmbytjeve pasi emetimet njerëzore të gazeve që bllokojnë nxehtësinë shkaktojnë ngrohjen e Oqeanit Indian.
Ata presin që tendenca të përkeqësohet në mënyrë dramatike në dekadat e ardhshme.
Aktivistët lokalë të klimës po bëjnë thirrje për investime më të mëdha, për të ndihmuar komunitetet të përgatiten më mirë për goditjet e motit.
Në një procesion të heshtur në Durban, për të shënuar fillimin e fundjavës së Pashkëve, adhuruesit e krishterë vendosën lule në një kryq.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com