Sport

Ronaldo shpërthen ndaj kryeredaktorit të revistës “France Football”


Cristiano Ronaldo ka reaguar ndaj “France Football”, më konkretisht ndaj kryeredaktorit të kësaj reviste, Pascal Ferre, i cili kishte deklaruar që synimi i portugezit është të fitojë një Top të Artë më shumë se Lionel Messi në karrierën e tij.

Pas kësaj deklarate, nuk ka munguar reagimi i Ronaldo-s, i cili ka bërë një postim në rrjetet sociale, duke i konsideruar këto pohime gënjeshtra dhe duke thënë se gjithmonë e ka mbrojtur sjelljen sportive.

“Rezultati i sotëm shpjegon pse Pascal Ferre tha që unë i kisha treguar se ambicia ime e vetme ishte të fitoja me shumë Topa të Artë në karrierë se Lionel Messi. Pascal Ferre gënjen. Ai përdori emrin tim për të promovuar veten e tij dhe profesionin që bën”, tha Ronaldo.

“Është e papranueshme që një person, i cili është përgjegjës për dhënien e një çmimi kaq prestigjioz, të gënjejë kështu. Është një mungesë respekti”, shtoi ai.

Ylli i Manchester United, këtë herë mungoi në ceremoninë e dhënies së Topit të Artë, e cila u mbajt në Paris, për të cilën Pascal Ferre kishte deklaruar se ai mungoi për shkak të rregullave të karantinës.

Mirëpo, edhe këtë gjë portugezi e mohoi, duke e quajtur gënjeshtar francezin.

“Ai gënjeu duke justifikuar mungesën time në ceremoni, si pasojë e rregullave të karantinës që nuk kanë arsye të ekzistojnë”, tha CR7.

36-vjeçari u rendit në vendin e pestë këtë herë, e cila është hera e parë që është jashtë tre vendeve të para, që nga viti 2007, kur Kaka e fitoi këtë çmim.

Mirëpo, Ronaldo uroi për “rivalin” e tij, Messi-n, duke shtuar që synimi i tij është që të fitojë trofe me klubin dhe kombëtaren, e jo ata individualë.

“Dua të përgëzoj këdo që e fiton, sepse unë e kam mbështetur karrierën time te loja e pastër. Unë fitoj për veten dhe jo për të tjerët”.

“Ambicia ime më e madhe është që të fitoj titujt më prestigjioz me klubin dhe kombëtaren time. Dua të jem shembull për ata që duan të bëhen futbollistë. Dua që emri im të shkruhet me shkronja të arta në historinë e futbollit”, tha portugezi.

“E përmbyll shkrimin tim duke thënë që fokusi im është te ndeshja e radhës me Manchester United. Pjesa tjetër? Le të mbetet ashtu”, shkuan Ronaldo në postimin e tij.

Kujtojmë që Ronaldo këtë sezon u rikthye te Manchester United pas 12 vjetësh që u largua aty.

Përkundër moshës 36-vjeçare, portugezi po kalon momente shumë të mira në këtë sezon, duke shënuar 10 gola dhe duke dhuruar dy asistime në 16 ndeshje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore