Sport

Ronaldo feston fitoren e Portugalisë në mënyrë speciale, futet në librin Guiness dhe shënon në minutën e fundit


Portugalia mori një fitore të vështirë në mbrëmjen e kaluar, duke e mposhtur Islandën në udhëtim me rezultat 0:1.

Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Cristiano Ronaldo në minutën e fundit të ndeshjes.

Në fakt, goli ishte “qershia mbi tortë” për CR7, duke qenë se në fillimin e ndeshjes ai u fut në rekordet Guiness.

Kjo për shkak se ndeshja ndaj Islandës ishte e 200-ta për Ronaldo-n me fanellën e kombëtares, një arritje që nuk ishte regjistruar ndonjë lojtar asnjëherë më parë.

Në momentin kur mori certifikatën e Guiness, Ronaldo theksoi edhe njëherë se 200 ndeshjet me Portugalinë faktojnë të gjithë dashurinë e tij për kombëtaren ndërsa shtoi se për të, rekordi me luzitanët ka një vlerë të veçantë.

Kështu, Ronaldo me Portugalinë vazhdon, teksa kapiteni pritet ta udhëheqë kombëtaren e tij edhe në Euro 2024.

Kujtojmë se CR7 është aktivizuar për herë të parë me Portugalinë në gushtin e vitit 2003 në një ndeshje ndaj Kazakistanit duke u shndërruar edhe në golashënuesin më të mirë të luzitanëve me 123 gola.

Me kombëtaren e tij, sulmuesi ia ka dalë edhe të fitojë trofe prestigjiozë siç ishte Kampionati Evropian në vitin 2016, pa lënë mënjanë edhe trofeun e Ligës së Kombeve në vitin 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore