Përballje

Roma përforcon vendin e tretë, mposht Udinese-n


Roma ka shënuar fitore shumë të rëndësishme, duke e mposhtur Udinese-n me rezultat 3:0, në ndeshjen e javës së 30-të në Serie A.

Kjo fitore ishte shumë e vlefshme për ekipin e Jose Mourinho-s, duke qenë se ata tani kanë 56 pikë në vendin e tretë, tre më shumë se Milan-i i vendit të katërt dhe pesë më shumë se Inter i vendit të pestë.

Sfida u zhbllokua në minutën e 37-të kur 20-vjeçari italian, Edoardo Bove shënoi me lehtësi pasi topi iu kthye nga shtylla, të cilën e goditi Bryan Cristante nga pika e bardhë e penalltisë.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të kryeqytetasve, teksa 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë shënoi edhe kapiteni i tyre, Lorenzo Pellegrini, duke u asistuar nga Andrea Belotti.

Në minutën e 69-të, Udinese e kishte një mundësi të artë për t’u rikthyer në lojë, por Roberto Pereyra gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.

Krejt në fund, Roma e shënoi edhe golin e tretë, kur në minutat shtesë Tammy Abraham realizoi për 3:0, i cili ishte inkuadruar në lojë pak minuta më herët.

Kështu rezultati në fund mbeti në favor të Romës dhe tani ekipi i Mourinho-s mund të qëndrojë më i qetë në zonën Champions.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore