Sport

Roma ndalet nga Verona, Lazio lëshon pikë përsëri


Ecuria pozitive e Romës ndalet pas katër javësh.

Verdhekuqt erdhën në ndeshjen me Veronën me synim që të ngjiteshin përsëri në krye, pas tre fitoreve në tre ndeshjet e para.

Mirëpo, ndeshja në “Bentegodi” ishte histori krejtësisht ndryshe.

Skuadra e Mourinho-s u duk se po shkonte sigurt drejt fitores në pjesën e parë.

Ajo u mbyll me rezultat 0-1 pas golit të Lorenzo Pellegrinit në minutën e 36-të.

Mirëpo, gjithçka ndryshoi në të dytën.

Pa u mbyllur dhjetë minutat e para, Verona shënoi dy herë, me anë të Barak dhe Caprari për epërsinë 2-1.

Shifrat u barazuan në minutën e 58-të pas autogolit të Ilic.

Por, vetëm pesë minuta më vonë, Faraoni shënoi një super gol për rezultatin 3-2.

Përkundër përpjekjeve të shumta, deri në fund nuk ndryshoi asgjë dhe Roma humbi ndeshjen e parë, me Veronën që gjeti pikët e para.

Festë nuk kishte as në anën tjetër të Romës, me Lazio-n që lëshoi pikë si vendas përballë Cagliari-t.

Sikur Roma, edhe Lazio mbylli pjesën e parë në epërsi, falë golit të Ciro Immobile në sekondat mbyllëse të fraksionit hapës.

Mirëpo, në sekondat e para të fraksionit mbyllës, Joao Pedro barazoi për 1-1.

Keita Balde i shënoi ish-skuadrës në minutën e 63-të, për epërsinë e Cagliari-t në “Olimpico”.

Cataldi i shpëtoi një pikë Lazio-s duke barazuar në 2-2 pak para fundit.

Lazio mbetet e shtata me shtatë pikë, derisa Cagliara lë prapa Juventus-in, duke u ngjitur në vendin e 18-të me dy pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore