Pajisje

Roma me rregulla të reja për të frenuar incidentet e skuterëve elektrikë


Në Romë, autoritetet do të vendosin rregulla të reja, sa u përket skuterëve elektrikë.

Ndër to do të përfshihet kufizimi i përdorimit për të rriturit me kartë identiteti, pas një numri përplasjesh.

Masa vjen pasi vitet e fundit tregu i marrjes me qira të e-skuterëve ka marrë vrull, me 14 mijë e 500 skuterë të disponueshëm aktualisht në kryeqytetin italian, të ofruara nga shtatë kompani të licencuara.

Por autoritetet po përpiqen për ta rregulluar situatën pasi përdoruesit e skuterëve hipin nëpër trotuare, shpesh me dy persona mbi skuter.

Në dy vitet e fundit, 17 persona janë vrarë në Itali nga incidentet që përfshijnë skuterët elektrikë, sipas shoqatës për mbrojtjen e konsumatorëve Codacons.

Carlo Rienzi, shefi i shoqatës, e ka përshkruar Romën si “një perëndim të egër, me skuterë që shkojnë ku nuk duhet, shpesh me dy persona në bord, duke thyer kufirin e shpejtësisë”.

Referuar policisë së atjeshme, regjistrohen mesatarisht 15 aksidente në muaj.

Rregullat e reja përfshijnë kufizimin e përdorimit të skuterëve elektrikë për të rriturit me kartë identiteti dhe kufizimin e numrit të operatorëve në qytet në tre.

Po ashtu do të ketë kufizime për parkimin, një lëvizje e parashikuar nga kompania amerikane Bird, e cila së fundmi ka njoftuar se skuterët e vet në qendër të qytetit mund të lihen vetëm në zona të caktuara.

Edhe kufiri i shpejtësisë do të reduktohet nga 25 kilometra në orë në 20 në rrugë dhe gjashtë në zonat e këmbësorëve.

Projekt-rregulloret, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në janar 2023, janë mirëpritur nga shumë njerëz.

Kjo sepse banorët ankohen se skuterët janë hedhur rastësisht në trotuare të ngushta, duke bllokuar aksesin për karrocat dhe karriget me rrota.

Kurse ndër ata që përdorin skuterët janë ngritur shqetësime, veçanërisht për kufijtë e reduktuar të shpejtësisë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore