Sport

Roma dhe Feyenoord, dy skuadrat nën hijen e rivalëve në kampionat, që synojnë lavdinë evropiane


UEFA Conference League do të përballë në finale Roma-n dhe Feyenoord-in. Dy skuadra, të cilat në kampionatet përkatëse janë nën hijen e rivalëve të tjerë, më të fuqishëm se ata. Por, ato synojnë lavdinë, atë evropiane.

Roma

Suksesi i vetëm jashtë Italisë për skuadrën nga kryeqyteti ka qenë fitimi i Inter-Cities Fairs Cup. Trofe të cilin e mori në vitin 1962, pasi mundi anglezët e Birmingham City-t me rezultatin 4-2.

Roma ka shkuar vetëm një herë më parë në një finale UEFA.

Në vitin 1991, ata u përballën me Inter-in në UEFA Cup (tani Europa League). Sfidën e parë finale e humbën 2-0. Ndërsa fituan të dytën 1-0. Dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-1 zikaltrit morën trofeun.

Që nga viti 2008, Roma nuk ka arritur të marrë asnjë trofe, brenda dhe jashtë Italisë. Atë kohë triumfonte në Kupën e Italisë.

Ulja në stolin verdhekuq e një kampioni dhe eksperti si Jose Mourinho, bëri që skuadra ta merrte seriozisht kompeticionin, që nga hryja në raundin e play-off, në grupe, fazën me eleminim direkt dhe deri te mbërritja në finale.

Në fazën e eleminimit, pasi hoqën holandezët e Vittesse-s, triumfuan gjithashtu ndaj norvegjezëve të Bodo/Glimt, me këta të fundit që i shkaktuan Roma-s një humbje turpëruese 6-1 në fazën e grupeve.

Më pas ishte përballja me Leicester-in. Një prej skuadrave më të forta të kompeticionit. Pasi barazuan në Angli 1-1, do të ishte një anglez, Tammy Abraham, që do të shënonte në Romë, për të dërguar në finalen e Tiranës skuadrën e Mourinho-s.

Trajneri portugez mund të bëhet i pari që arrin të fitojë të tre trofetë e UEFA-s, Champions League, Europa League dhe Conference League.

Feyenoord

Skuadra holandeze do të luajë ndeshjen e 19 të sezonit në Evropë në finalen e Tiranës.

Ata e nisën aventurën më 22 korrik dhe po e përfundojnë më 25 maj. Dhe, si për ironi të fatit, aventura e tyre nisi në një kryeqytet shqiptar, Prishtinë, dhe po mbyllet në një tjetër kryeqytet shqiptar, Tiranë.

Deri më tani, skuadra e drejtuar nga Arne Slot ka shënuar plot 43 gola. Ata kanë eleminuar, duke u shënuar më shumë se tre gola, ekipe, si: Drita, Luzern, Elfsborg, Union Berlin, Partizan dhe Slavia Praha.

Në gjysmëfinale, ishte një përballje e vështirë ndaj Marseille-s. Të dyja skuadrat kanë qenë kampione dikur në Evropë. Një fitore 3-2 në Holand dhe një ruajte rezultati në Francë, pa Feyenoord-in të kalonte më tej.

Deri më tani Feyenoord-i ka më shumë sukses në arenën ndërkombëtare se Roma. Ata kanë ngritur Kupën Evropiane në 1970 dhe Kupat UEFA të 1974 dhe 2002, ku kanë mundur përkatësisht Celtic, Tottenham dhe Borussia Dortmund-in.

Nëse mundin Roma-n në finale, skuadra nga Roterdami do të ketë mundësinë të vendosë rekord. Kjo pasi do të jetë skuadra e vetme që ka tre trofetë e UEFA-s: Champions League, Europa League dhe Conference League.

Se cila skuadër do të shkruajë historinë, mbetet për t’u parë më 25 maj. Gjithçka do të vendoset në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, duke filluar nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore